Grupi i trafikut të drogës, ku bënte pjesë dhe Klement Balili, dyshohet se ishte një nga më aktivët në Europë dhe kishte disa linja trafiku. Njëra prej tyre ishte nga Saranda drejt Greqisë me skaf dhe më pas nisej me kamionë drejt vendeve si Belgjika, Holanda dhe Spanja. Por në bazë të të dhënave të siguruara nga hetimi i Policisë greke, ky grup shfrytëzonte edhe rrugë të tjera. Ka dyshime se për të trafikuar lëndë narkotike drejt Europës nga ky grup është përdorur Porti i Durrësit apo edhe rrugë të tjera tokësore.
Grupi, sipas hetuesve e kamuflonte mjaft mirë ngarkesën e drogës në kamionët me të cilët transportohej. Pala greke ka dyshime se sasia prej 700 kilogramë kanabis, e sekuestruar në Portin e Durrësit në tetor të 2015, fshehur në një kamion me lëndë drusore, të ketë qenë e këtij grupi. Në një tjetër rast në Holandë, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kokaine, droga ishte e fshehur në kamion, i cili transportonte çokollatë të shkrirë. Këto teknika transporti shmangin kontrollet, skanerat, por edhe qentë Antidrogë, të cilët e kanë mjaft të vështirë të nuhasin lëndën narkotike.
Klement Balili, sipas Policisë greke, ishte financuesi, si dhe personi që gjente kanabisin në Shqipëri, ndërsa dy shqiptarët e tjerë të arrestuar një ditë më parë në Belgjikë, Dhimitër e Xhevahir Poti ishin përgjejgjës për shitjen e drogës dhe mbajtjen e kontakteve me grupe të tjera kriminale në Europën Perëndimore.
Rrjeti i drogës në të cilin dyshohet se ka qenë përfshirë edhe Klement Balili, kishte planifikuar të fuste në Francë 60 kg kokainë. Kjo ishte planifikuar të realizohej më 18 nëntor 2015. Droga ishte magazinuar në një vend të panjohur në Belgjikë dhe që andej do të dërgohej në Itali e më pas në Francë. Mirëpo masat e larta të sigurisë, pas sulmeve terroriste në Paris, që ishin kryer pesë ditë më parë, i detyruan krerët e organizatës që ta anulonin operacionin. Kështu bën të ditur portali grek, “The Toc”, që pretendon se ka në dorë gjithë dosjen penale të çështjes. Sipas “The Toc”, operacioni financohej nga kreu shqiptar, me moshë 44 vjeç (që sipas gjithë mediave greke në fakt, është Balili).
Një tjetër operacion ka dështuar sërish, në shkurt 2016. Një sasi droge do të transportohej nga Spanja për në Itali, me një kamion të transportit ndërkombëtar. Përgjegjës për sigurimin e drogës ishte një pjesëtar i rrjetit, shtetas shqiptar, me moshë 43 vjeç. Për transportin ishin destinuar 100.000 euro, nga të cilat 20.000 do t’u jepeshin drejtuesve të mjetit dhe 80.000 do t’u shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë, me rol mbështetës. Kamioni u nis më 20 shkurt nga Vjena e Austrisë, hyri në Itali dhe përmes Portit Civitavecchia mbërriti me traget në Portin e Barcelonës, për të marrë ngarkesën e drogës. Mirëpo, edhe ky aksion u anulua, për shkak të kontrollit të kamionit nga autoritetet spanjolle, gjë që krijoi dyshime tek drejtuesit e rrjetit.
Por edhe më herët, në prill 2015, kishte dështuar një tentativë për të transportuar drogë nga Belgjika për në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, siç citon dosjen penale portali grek, “The Toc”. Kamioni ishte nisur me një ngarkesë të ligjshme nga Greqia, me stacion tranzit Mynihun, ku do të shkarkohej e do të merrte një ngarkesë tjetër, gjithashtu të ligjshme, për në Oslo. Kamioni ishte planifikuar të kalonte nga Belgjika, ku në vendet e posaçme do të fshihej sasia e drogës. Por edhe ky aksion u anulua, pasi skadoi afati i marrjes në dorëzim të ngarkesës së ligjshme. Por edhe për një arsye tjetër: Karroceria e kamionit kishte lartësi më të madhe nga sa lejohej që të qarkullonte në rrugët e Norvegjisë…
Në dosjen penale, gjithmonë sipas citimeve të portalit grek “The Toc”, ka edhe një detaj interesant sa i përket qëndrimit të Policisë shqiptare, kur homologët grekë u folën mbi veprimtarinë e “Kelit”, siç përmendet Balili. Përfaqësuesit e autoriteteve shqiptare, “kur dëgjuan emrin, u thanë se nevojiteshin prova të pakundërshtueshme, me qëllim që ata ta gjenin e ta arrestonin”. Dhe kjo, shpjegon “The Toc”, për arsye se “Keli” sillej të kishte lidhje të fuqishme me aparatin shtetëror të vendit fqinj”. Gjithsesi, “The Toc” nënvizon se ka interes të shihet se si do të lëvizin autoritetet shqiptare, pasi të lëshohet urdhër arresti ndërkombëtar për Balilin, çka sipas portalit grek do të bëhet brenda kësaj jave.