Raporti: 1 në çdo 2 qytetarë, ryshfet për shërbimet falas nën presionin e zyrtarëve

Studimi i fundit i Southeast Europe Leadership for Development and Integrity mbi korrupsionin në Shqipëri për vitin 2016 tregon se numri i qytetarëve që pranojnë se iu është dashur të paguajnë ryshfet për të marrë shërbimin që ju takon u rrit me 5% krahasuar me vitin paraardhës. Plot 49.6% apo 1 në çdo 2 qytetarë janë detyruar të japin ryshfet në këmbim të marrjes së shërbimeve të detyrueshme falas në zyrat e shtetit.
Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa i cilësoi të dhënat e këtij raporti si dëshmi e realitetit në Shqipëri se korrupsioni është i kudondodhur, i përhapur në çdo nivel të qeverisjes.
“Qeverisë Rama-Meta po i rrëzohen përditë e më shumë alibitë dhe zhurma propagandistike që qeveria paraqet përpara publikut duket gjithnjë e më e shpërfytyruar përballë realitetit dhe përballë studimeve ndërkombëtare që dëshmojnë gjendjen e mjeruar të vendit. ‘Korrupsioni i kudogjendur’ është vlerësimi në çdo raport ndërkombëtar për Shqipërinë dhe pasojat e tij i ndjen çdo qytetar që sot është më i varfër, më i pasigurtë dhe nuk i ofrohet shërbimi nga zyrat e shtetit pa paguar më parë”, u shpreh Zhupa.
Ajo thekson se këto të dhëna demonstrojnë vetëm njërën anë të përkeqësimit të situatës së korrupsionit në Shqipëri, sepse siç deklaron raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit korrupsioni është i kudogjendur
“Në dy vjet 2.2 miliardë euro u janë vjedhur shqiptarëve nga doganat, tatimet, tenderat, koncesionet, CEZ, OSHEE  etj.
Ndërsa papunësia dhe varfëria rriten, qeveria ka harxhuar në mënyrë korruptive rreth 90 milionë euro për luks, karburant, bileta avioni e makina. Vetëm me këto para do të ishin punësuar të paktën 14 mijë shqiptarë për një vit me rrogën 500 dollarë në muaj ose do të kishin marrë ndihmën e plotë ekonomike prej 68 mijë lekësh të vjetra në muaj, plot 109 mijë familje”, shprehet zëdhënësja e PD.
Nga ana tjetër, ajo vë në dukje se korrupsioni është shkaktari kryesor që vendi ndodhet në krizë totale ekonomike, në varfëri, në papunësi, në pamundësi për të mbyllur muajin. “Korrupsioni është arsyeja që 46% shqiptarëve, siç e shfaqin edhe statistikat e fundit të Bankës Botërore, jetojnë në varfëri me vetëm 5 dollarë për familje në ditë. Korrupsioni është një nga arsyet kryesore të përkeqësimit të klimës së biznesit, largimit të investitorëve të huaj dhe mbylljes së mijëra vendeve të punës.
Ky raport është një tjetër dëshmi tronditëse në pak javë për korrupsionin e ngritur në sistem nga qeveria Rama, përmes vjedhjes dhe abuzimit me taksat dhe pasuritë e shqiptarëve dhe ryshfetit të shumëfishuar në çdo zyrë publike dhe shtetërore”, shprehet PD në reagimim e saj.

Raporti

Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet, një koalicion i rreth 30 OSHC-ve me mendime dhe bindje të përbashkëta, kreu në vitin 2016 raundin e katërt të Sistemit të Monitorimit të Korrupsionit në Evropën Juglindore dhe në Shqipëri. Partneri lokal i SELDI-së, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) ndërmori në fillim të këtij viti një sondazh kombëtar me 1000 të anketuar në të gjithë Shqipërinë, ku u gjurmuan përvojat e qytetarëve me presionin e korrupsionit dhe përfshirjen në të (viktimizimit), si dhe perceptimet e tyre mbi nivelin e përpjekjeve për korrupsion dhe antikorrupsion. Ky studim, duke u bazuar në të njëjtën metodologji, është zhvilluar në vitin 2001, 2002 dhe 2014, duke ofruar një prirje të veçantë të të dhënave. Rezultatet e Sistemi të Monitorimit të Korrupsionit në Shqipëri 2016 tregon se 1 në 2 qytetarë shqiptarë në moshë madhore pranon se në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i është kërkuar ryshfet nga zyrtarët publikë (49.6%). Kjo tregon përkatësisht një përkeqësim me rreth 5% në krahasim me studimin e 2014-tës. Kjo shifër paraqet një shtim të presionit korruptiv nga ana e zyrtarëve publikë ndaj qytetarëve. Si rrjedhojë, përfshirja e qytetarëve në korrupsion është rritur gjithashtu në mënyrë margjinale. Ka një rritje të lehtë prej afërsisht 1% të të anketuarve që pranojnë se u kanë dhënë ryshfet zyrtarëve publikë, krahasuar me dy vite më parë.
A.Shahini

Dhënia e ryshfetit pësoi rritje krahasuar me 2014

Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve (38.2%) deklarojnë se janë përfshirë në ryshfet nën presionin e zyrtareve publikë. Vetëm 1.6% janë bërë pjesë e një transaksioni korruptiv, pa qenë nën presion prej tyre. Dhënia e ryshfetit duke qenë nën presion, ka pësuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2014. Këto të dhëna tregojnë se masat antikorrupsion të ndërmarra nga qeveria, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare nuk kanë krijuar ende rrënjë të forta, gjë që bën të domosdoshme shtimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Të dhënat mund të reflektojnë edhe faktorë të përkohshëm, por tregojnë ende një mungesë të ndryshimeve thelbësore, të cilat priten nga të dyja palët: shoqëria shqiptare dhe partnerët evropianë. Nivelet e larta të ndjeshmërisë dhe të pranueshmërisë së korrupsionit në shoqërinë shqiptare cenojnë në vijimësi përpjekjet për të luftuar ndikimin e tij negativ. Si shembull, të pyetur nëse do të ishin në pozicionin e zyrtarit publik, 2/3 e të anketuarve (66%) janë shprehur se do të pranonin ryshfet (nëse do të kishin një problem madhor). Ky rezultat është në të njëjtën linjë me rezultatet e indeksit të përfshirjes në praktikat korruptive pa presion.

Përfshirja në korrupsion në nivele shumë të larta

Në vitin 2016, qytetarët që janë pak a shumë të ndjeshëm, përfaqësojnë shumicën dërrmuese të popullsisë mbi 18 vjeç (91%). Nga viti 2001 deri në vitin 2016, pjesa e të anketuarve që janë plotësisht të pandjeshëm ndaj korrupsionit (që do të thotë nuk do të përfshiheshin kurrë në praktika korruptive) është rritur me 3%. Sipas rezultateve të anketimit, në vitin 2016 grupet që perceptohen si më të korruptuarit janë gjyqtarët, doganierët, prokurorët, zyrtarët e administratës në sistemin e drejtësisë, partitë politike dhe liderët politikë. Rezultatet tregojnë që gjatë dy viteve të fundit, nuk është shënuar asnjë përmirësim në besimin e qytetarëve në këto grupe. Sipas perceptimit të publikut, niveli i përfshirjes së tyre në praktika korruptive mbetet në nivele shumë të larta. Vlerësimi më i lartë negativ për gjyqtarët mbetet një pasqyrim i realitetit. Sistemi gjyqësor në Shqipëri vuan nga një sërë problemesh duke nisur me mënyrën e organizimit, statusin e funksionarëve të drejtësisë, administrimin dhe me mungesën e standardeve evropiane në funksionim.

76% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni nuk mund të reduktohet

3/4 e të anketuarve (76%) mendojnë se “Korrupsioni nuk mund të reduktohet ndjeshëm”, ndërkohë që pak më shumë se 1/5 e tyre (22%) mendojnë se “Korrupsioni mund të reduktohet ndjeshëm ose të çrrënjoset”. Mosbesimi në rritje i qytetarëve në kapacitetet dhe efektivitetin e shoqërisë shqiptare për t’u përballur me problemin e korrupsionit, duket se tregon një lodhje të rrezikshme nga përpjekjet e institucioneve shtetërore për të luftuar korrupsionin. Për më tepër, numri i të anketuarve që mendojnë se korrupsioni mund të reduktohet në mënyrë drastike është zvogëluar në krahasim me gjetjet në vitet 2001, 2002 dhe 2014. Ky vlerësim, ndërkohë që pasqyron përvojën e vendeve të tjera evropiane me nivele të larta të korrupsionit, tregon gjithashtu një zbehje të mbështetjes për aksionet e zakonshme politike dhe e bën antikorrupsionin në mënyrë të rrezikshme të papëlqyeshëm politikisht. Kjo nënkupton një angazhim më të madh të fokusuar në qëndrueshmërinë afatgjatë të shoqërisë civile dhe masmedias, si dhe shtimin e përpjekjeve për menaxhimin e përshtatshëm të pritshmërive të publikut shqiptar në lidhje me korrupsionin, pa zvogëluar presionin për veprim nga ana e politikanëve. Grupet e perceptuara si më pak të korruptuara janë mësuesit, gazetarët, anëtarët e këshillave të qyteteve, si dhe trupa pedagogjike e fakulteteve dhe universiteteve. Kjo krijon një dëshmi se ku mund të kërkohen shembuj të integritetit personal për të përmirësuar pozitën e sistemeve të tjera.

Artikulli paraprakBerisha me USAID: Krimi i lidhur me qeverinë rrezikon stabilitetin
Artikulli tjetërTahiri pastron dosjen e Balilit në polici dhe sistemin TIMS