David Moyes është emëruar si trajneri i ri i West Ham. Klubi i Premier League ka njoftuar se ish-trajneri i Evertonit, Manchester United dhe Sunderland, 54-vjeçari Moyes, caktohet si pasues i Slaven Biliç, i cili u shkarkua të hënën. Bilic kishte pritur të kalonte gjithë sezonin me “Hammers”, por u shkarkua nga kryetarët e përbashkët, David Sullivan dhe David Gold, pas humbjes 4-1 në shtëpi nga Liverpool, të shtunën. Klubi nuk ka zbuluar kohëzgjatjen e kontratës së Moyes.
“Unë jam me të vërtetë i gatshëm të takoj përkrahësit dhe të jem në stadium me ta, tha Moyes në një intervistë të parë, të botuar në Twitter-in e klubit. Kemi nevojë për mbështetje, ne kemi nevojë për të gjithë. Është një punë e madhe që kemi në dorë tani, por jam i sigurt që të gjithë sëbashku mund të marrim rezultatet e duhura”. Moyes ka qenë jashtë menaxhimit, që kur dha dorëheqjen nga drejtimi i Sunderland, në fund të sezonit të kaluar, duke dështuar për t’i shpëtuar ata nga rënia një kategori më poshtë. Emërimi i tij është parë me skepticizëm nga disa tifozë “Hammers”, pas eksperiencave zhgënjyese me Manchester United dhe “Black Cats”, si dhe një përvoje të pakëndshëm në Spanjë, me Real Sociedad.