Të deklasifikohet mbledhja e një viti më parë e Këshillit të Sigurisë për Drogën

Deputetët e Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim u janë drejtuar këtë të mërkurë Presidentit Ilir Meta me një kërkesë, për deklasifikimin e mbledhjes së 11 nëntorit 2016, të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë mbledhje u diskutua për problematikën e drogës dhe kanabisit. Deputetët opozitarë thonë se, kërkesa e tyre ‘vjen si ndjeshmëri për situatën e rëndë të krijuar me përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës dhe pas skandalit të dalë në media, ku rezulton nga hetimet e Prokurorisë së Katanias se ish – ministri i Brendshëm, ka pasur lidhje direkte me aktivitetin kriminal të bandës së Habilajve’. Në kërkesën e tyre, të siguruar nga “TV Klan.al”, vlerësohet me interes publik që të dihen të dhënat e asaj kohe dhe mbi të gjitha angazhimet e marra nga institucionet dhe nga qeveria në atë mbledhje për luftën ndaj drogës dhe për të bërë një ballafaqim me rezultatet e dhëna. I pari, që bëri thirrje për publikimin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte ish – Kreu i Shtetit Bujar Nishani, në atë mbledhje President i Republikës. “Më 11 nëntor të vitit 2016 është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare nën drejtimin e Kreut të Shtetit në atë kohë, z. Bujar Nishani, lidhur me problematikën e mprehtë të drogës dhe kanabisit.
Në atë mbledhje, ka pasur raportim nga institucione të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në vend, mbi situatën e drogës. Është me interes publik të dimë sot të dhënat e asaj kohe dhe mbi të gjitha angazhimet e marra nga institucionet dhe nga qeveria në atë mbledhje, për luftën ndaj drogës dhe për të bërë një ballafaqim me rezultatet e dhëna. Për këtë arsye, ne deputetët e opozitës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kërkojmë që të deklasifikohet materiali i diskutuar në atë tryezë dhe të bëhet publike.
Kërkesa jonë vjen si ndjeshmëri për situatën e rëndë të krijuar me përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës dhe pas skandalit të dalë në media, ku rezulton nga hetimet e Prokurorisë së Katanias se ish-ministri i Brendshëm ka pasur lidhje direkte me aktivitetin kriminal të bandës së Habilajve.
Në këto rrethana, do t’i shërbente publikut dhe interesit kombëtar dhe Komisionit tonë parlamentar të Sigurisë, qasja ndaj mbledhjes së 11 nëntorit 2016, për të kuptuar angazhimin e institucioneve në kohën kur kanabizimi i vendit ishte në kulmin e tij. Kërkesa jonë bazohet në nenin 13 të Ligjit për informacionin e klasifikuar “Sekret Shtetëror” thuhet në kërkesën e publikuar në media.

Artikulli paraprakBurg pa afat për krahun e djathtë të Habilajve
Artikulli tjetërFaqja e pare