Lirohet nga burgu një tjetër i dënuar për vrasje dhe përdhunime

Ilir Paja është liruar sot nga Gjykata e Krujës, teksa i kishte mbetur edhe një vit nga vuajtja e dënimit. Personazhi i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet italiane ishte dënuar me 6 vjet burg nga Gjykata shqiptare si fajtor i “plagosjes së rëndë me dashje” të një polici, gjatë operacionit për arrestimin e tij, në mars 2008, në Tiranë.
Prokuroria për Krimet e Rënda i kishte kërkuar Gjykatës dënimin e të pandehurit Ilir Paja me 25 vjet burg dhe 3 milionë lekë gjobë, por për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar në Gjykatën për Krimet e Rënda e uljes që përftohet prej tij, përfundimisht Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me 16 vjet e 8 muaj heqje lirie dhe 2 milionë lekë gjobë.
Sipas organit të akuzës, Paja akuzohej për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.
Dosja në fjalë është plotësuar me materiale dhe prova të mbërritura me letërporosi nga ana e autoriteteve italiane të hetimit. U mësua se në dosje ndodhen procesverbalet e marrjes në pyetje të 19 personave në Itali, si edhe provat e mbledhura nga hetuesit italianë, në lidhje me ngjarjet e shënuara nga Paja në një hark kohor prej tri ditësh. Referuar kërkesës për gjykim, të depozituar më 15 korrik në Gjykatën për Krimet e Rënda, veprat penale për të cilat dyshohet të jenë kryer nga Paja, janë regjistruar në datat 2, 3 dhe 4 shtator 2006 në Milano, Itali.
Bëhet fjalë për kohën ndërmjet arratisjes së tij të parë të qershorit 2006 nga paraburgimi i Perugias dhe deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Sipas organit të akuzës në këtë periudhë, Paja dyshohet të jetë autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj.
Referuar hetimeve, Paja kishte qëlluar me pistoletë dhe ka plagosur shtetasit Gonzalo Ramirez dhe plagosur Enrike Erelana, ndërsa i pari ka ndërruar jetë një ditë më pas. Një tjetër episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.
Mësohet se vendimi për Pajën, të cilit i kishte mbetur më shumë se një vit dënim, është dhënë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila liroi pak ditë më parë Genc Tafilin, duke ngritur diskutime dhe polemika në opinionin publik.

Artikulli paraprakAfera e Ishmit, Xibraka dhe tre milionë eurot
Artikulli tjetër2 mijë euro për 1 vend pune, arrestohet ushtaraku