Prokuroria, hetim me ligjin Antimafia llogarive dhe pronave të Tahirit

Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bazë të ligjit Antimafia, nisi zyrtarisht dje hetimin pasuror për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili dyshohet për përfshirje në grupin kriminal “Habilaj”. Burime pranë organit të akuzës thanë se, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së pasurisë së personit nën hetim dhe personave të lidhur me të, iu janë dërguar shkresa bankave të nivelit të dytë, Tatimeve, Doganave dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Raportim është kërkuar edhe nga Drejtoria e Transportit Rrugor për makinat që janë në emër të ish-ministrit. Të dhëna Prokuroria ka kërkuar edhe OSHEE, por pa specifikuar se për çfarë do të shërbejnë në hetimin e kësaj dosje.
Krimet e Rënda me këtë veprim hetimor kërkojnë që të hedhin dritë mbi dyshimet që ata kanë se Saimir Tahiri ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës që kryente grupi “Habilaj” dhe për këtë, ai ka përfituar shuma të ndryshme monetare.
Burimet konfirmuan nisjen e hetimit pasuror edhe për biznesmenin Orest Sota, i cili u arrestua pak ditë më parë në Elbasan, pasi në makinën luksoze me të cilën udhëtonte iu gjetën 863 mijë euro, dy patenta për mjete lundruese të ish-ministrit të Brendshëm dhe një e bashkëshortes së këtij të fundit.
Në fakt, hetimi pasuror ka nisur për të gjithë emrat që përmenden në dosjen “Habilaj” dhe jo vetëm. Dosja ndaj Sotës fillimisht po hetohej nga Prokuroria e Elbasanit, por tashmë është kaluar për kompetencë të Krimeve të Rënda. Kjo pasi mbi të rëndojnë dyshimet për pastrim parash, ndërsa po verifikohen dhe lidhjet e tij të mundshme me ish-ministrin e Brendshëm. Prokurorët pritet të marrin dëshminë e shoferit të Tahirit, me të cilin 25-vjeçari ka deklaruar se ka miqësi dhe mund të jetë ai personi që ka harruar dokumentat në automjet.

Artikulli paraprakDestabilitet nëse Rama nuk largohet nga pushteti
Artikulli tjetërVettingu, 20 efektivëve të lartë u refuzohet rinovimi i çerfikatës së sigurisë