Në murin e një restoranti amerikan në Vilnius të Lituanisë, dizajneri grafik Mindaudas Bonanu, 34 vjeç, ka vizatuar një murale, e cila tregon duke u puthur presidentin rus, Vladimir Putin, dhe kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Incizimet e këtij vizatimi janë shpërndarë shpejt në internet. Titulli i tij është “T’i ribëjmë gjërat mirë” dhe është referencë për sloganin e Trumpit “Ta bëjmë Amerikën të suksesshme përsëri”.
Vizatimi është po ashtu perifrazim i murales së famshme të Dmitri Vrubelit, në Murin e Berlinit, e cila mban titullin: “Zot, më ndihmo ta mbijetoj këtë dashuri vdekjeprurëse”. Kjo murale tregon një puthje të zjarrtë midis Leonid Brezhnjevit dhe Erich Honeckerit, udhëheqësve të dikurshëm të Bashkimit Sovjetik dhe të Republikës Demokratike të Gjermanisë.
Bonanu tregon për Radion “Evropa e Lirë” arsyet e veprës së tij artistike:
“Edhe Trump edhe Putin janë jashtëzakonisht personalitete egocentrike. Ne nuk mendojmë për politikë; e kemi njëjtë. Por, kemi menduar se janë egoistë dhe do ta kishin më mirë sikur të ishin bashkë. Sikur të ishin bashkë, do të arrinin më shumë në jetë dhe do ta kishin më bukur”.
“Street-art, apo arti në rrugë, u lejohet të gjithëve”, thotë Bonanu.
Vendi ku ndodhet muralja është një restoran i njohur në Vilnius, me kuzhinë amerikane.
“Atje, zakonisht, grumbullohen të rinj, që e duan Amerikën. Është shumë mirë që ka një kënd të tillë amerikan, jo larg kufirit me Rusinë”, thotë Bonanu.
Muralja e Vrubelit ka shënuar në të vërtetë fundin e Republikës Demokratike të Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik. Bonanu nuk dëshiron të supozojë nëse heronjtë e tij do të jenë, ose jo edhe kohë të gjatë në skenë.
“Nuk më pëlqen të flas për këtë, nuk jam politolog. Por, të dy personazhet janë shumë qesharakë. Ata janë të dashuruar në veten e tyre dhe nuk mendojnë për të tjerët. Ata janë njerëz që do ta kishin më mirë pjesëmarrjen në ndonjë show-program dhe të mos luajnë me jetët e njerëzve, nga pozita e politikanit”, thotë Bonanu.
Rusia, viteve të fundit, ka ndërhyrë në Ukrainë. Jo rrallë është përmendur mundësia e ndërhyrjes së saj edhe në vendet e Baltikut.
Bonanu thotë se njerëzit atje nuk i tremben më Rusisë. Ai po ashtu thotë se nuk frikësohen për humbjen e mbështetjes së SHBA-së nëse vizatojnë Trumpin. Sipas tij, Trump është karakter qesharak, sikurse Miki Maus.