Këngëtarja e Ukrainës, Jamala, i ka hedhur poshtë kritikat se kënga e saj “1944” e ka fituar çmimin e parë në Këngën e Eurovizionit për shkak të arsyeve politike e jo atyre artistike.
Duke folur sot në Kiev të Ukrainës, Jamala tha se fitorja e saj paraqet “fitore absolute, 100% për muzikë”.
Zyrtarët rusë janë ankuar në mediat sociale dhe në mediat tradicionale se kënga e Jamalës ishte qartas politike dhe se është dashur t’i ndalohej interpretimi në Eurovizion sipas rregullave që nuk lejojnë përmbajtje politike në interpretime.
Jamala, tartare nga Krimeja, 32-vjeçare, fitoi në Eurovizion më 15 maj me këngën për deportimet masive të tartarëve të Krimesë nga ana e Bashkimit Sovjetik, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më parë, Jamala ka thënë se kënga paraqet dënim të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë dhe kundër represionit që prej atëherë po vuajnë banorët tartarë.
Tartarët përbënë 15% të popullatës prej afro 2 milionësh të Krimesë dhe gjërësisht e kanë kundërshtuar okupimin e Rusisë.