Afera ruse e Ramës me “Gunvor” të Putinit

FBI-ja i kishte bërë të ditura detajet e këtij skenari dhe në fund shkoi pikërisht ashtu si kishin parashikuar agjentët amerikanë. “Mashtrimi i madh” shqiptar i Harry Sargeant III, naftëtari i falimentuar mbi të cilin po hetojnë autoritetet amerikane ka zbarkuar në Rusi, duke u ndërlidhur me një tjetër pistë hetimi të hetuesve amerikanë, atë të “thesarit” të Presidentit Vladimir Putin.
Le ta nisim nga një e dhënë zyrtare: rafineria e Ballshit – e cila i është besuar nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij “investitorit tepër serioz amerikan” Harry Sargeant III në këmbim të premtimeve ekonomike që nuk janë mbajtur – ka kaluar në pronësi të grupit të naftës “Gunvor”, i cili ka marrë tashmë në dorë kontrollin. Dhurata që Rama i ka bërë sipërmarrësit “made in USA” nuk është aspak në favor të nevojave të shtetit, por vetëm, në favor të xhepave të zbrazura të Harry Sargeant III dhe të oreksit miliarder të të korruptuarve të tij.
Mjaftuan vetëm gjashtë muaj në krye të rafinerisë nga ana e themeluesit të International Trading Company (kompani që është shpallur e falimentuar në shkurt të vitit 2016 nga ana e gjykatës amerikane për një borxh prej 100 milionë dollarësh), për ta kthyer atë në sipërmarrjen më të madhe të pastrimit ndërkombëtar të parave që ka parë ndonjëherë “vendi i shqiponjave”.
Sergeant duhet të kishte investuar 52 milionë dollarë në Shqipëri dhe të shlyente me kalimin e kohës sasitë e jashtëzakonshme të borxheve të shoqërisë ARMO, kompania që kontrollon fabrikën e rafinimit të naftës. Sipërmarrësi kishte deklaruar edhe se do të investonte edhe 100 milionë dollarë të tjera në “Transatlantik”, një tjetër kompani shqiptare financiarisht e shkatërruar. Të gjitha ishin broçkulla, që qeveria shqiptare dhe Edi Rama i kanë marrë për të mirëqena.
Sipas FBI-së dhe Departamentit amerikan të Shtetit, ish-piloti luftarak i marinës Harry Sergeant, ka shërbyer vetëm piketë për të mbajtur hapur vendin deri në ardhjen e Putinit, për të shmangur kështu çdo “rezistencë” politike apo kontroll ligjor.
“Gunvor”, deklarojnë publikisht hetuesit amerikanë, është një nga asetet kryesore të “thesarit” të Presidentit rus, Vladimir Putin. Agjentët e FBI-së, të cilët pas embargos ndërkombëtare kanë hetuar një për një pasuritë e fshehta të Putinit, citojnë dëshminë e një ish-këshilltari të tij, Stanislav Belkovski, i cili prej kohësh është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me hetimet ndërkombëtare dhe ka deklaruar se një pjesë prej 75 për qind e pasurisë së Putinit përfaqësohet nga “Gunvor”, 37 për qind nga grupi i naftës Surgutneftegaz dhe 4,5 për qind nga Gazprom.
Vladimir Putin, deri para pak kohësh, përfaqësohej në kompaninë “Gunvor” nga Gennady Timchenko, një ish-kolonel i KGB-së, i cili jeton në Gjenevë dhe që prej viteve 1980 njihet si një nga personat më të besuar të presidentit rus.
E themeluar në vitin 1997, brenda 10 viteve “Gunvor” u kthye në kompaninë numër 3 në botë për tregtimin e naftës dhe “shërbimeve” nga Europa drejt Lindjes. Aktualisht ajo drejton plot 30 për qind të eksporteve të Rusisë. Në krye të kompanisë, faqja zyrtare evidenton zyrtarisht një operator suedez, Torbjom Tornqvist, konsull nderi i Zvicrës në Gjenevë.
Me seli në Gjenevë, Amsterdam dhe Qipro, “Gunvor” po përhapet si njollë vaji nëpër botë, tashmë edhe në Shqipëri falë shërbimeve të Harry Sargeant III, eksperti i parajsave fiskale dhe të aleancave “të çmendura”.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndoshta nuk është në dijeni të faktit që të gjitha shoqëritë e Sergeantit, përfshirë edhe ato “offshore”, për të cilat Departamenti amerikan i Shtetit ka në dorë një hartë të detajuar, janë në listën e zezë të qeverisë amerikane dhe sipas një dekreti, nuk mund të operojnë në administratën publike.
Gjykata amerikane, për aktet e korrupsionit ndërkombëtar, i ka përshkruar aventurat e fundit të naftëtarit në fjalë si “forma më e keqe e përfitimit nga lufta”, që është hetuar ndonjëherë dhe në të njëjtin konkluzion kishte arritur edhe një komision special i Kongresit më parë. Sergeant, gjatë konfliktit në Irak, kishte arritur të siguronte një kontratë me Departamentin e Mbrojtjes për furnizimin me karburant të ushtrisë amerikane.
Ndërkohë, Harry Sergeant II drejtonte transportin e karburanteve nga Jordania në Irak në kushte tërësisht monopoliste, pasi kishte korruptuar me dhjetëra miliona euro një prej anëtarëve të familjes mbretërore jordaneze, i cili i siguroi ekskluzivitetin e sektorit dhe përzënien me forcë të çdo konkurrenti që mund të afrohej.
Pas tre kontratave të para me Departamentin amerikan të Mbrojtjes, Sergeant vendosi të ekzagjeronte me të katërtën. Në rastin e një marrëveshjeje prej 2,7 miliardë dollarësh, vendosi të përjashtonte ortakun e tij që i siguronte licencën e transportit në këmbim të ndarjes së përfitimeve. Me pak fjalë, ish-marinsi vendosi t’i kanalizonte ndryshe përfitimet për të anashkaluar palën jordaneze.
Në vitin 2008, djali i mbretit të Jordanisë, Mohammed al-Saleh, ortaku i tij, vendosi të niste një procedim penal në Gjykatën e Apelit të Floridës, kundër Sergeant për veprën penale të mashtrimit dhe në vitin 2011 fitoi: 29 milionë dollarë dëmshpërblim dhe 3,5 milionë të tjera interesa. Ndërkohë, gjatë debateve gjyqësore dolën në pah edhe aktet e korrupsionit, të dokumentuara për të paktën 50 milionë dollarë, për të cilat nisën hetimet përkatëse.
Në vitin 2016 i shpall falimentim nga ana e Gjykatës së Falimentimit të Shteteve të Bashkuara. Rasti bëri bujë të madhe, sepse Sergeant ishte atëherë një prej financuesve kryesorë të Partisë Republikane dhe mbështeste ekonomikisht fushatën elektorale të Mitt Romney dhe John McCain. Pas hetimeve të FBI-së doli në pah gjeografia ndërkombëtare e kompanive të Sergeant në parajsat fiskale dhe një mal me miliarda të fshehura nga autoritetet fiskale.
Më pas, e pabesueshme, por e vërtetë, Harry Sergeant III mbërrin në Tiranë pikërisht gjatë muajve më të errët të falimentimit të plotë. Deri më sot, sipërmarrësi amerikan nuk ka investuar asnjë qindarkë të vetme në Shqipëri. Ndërkohë, kalimi i sipërmarrjes tek kompania “Gunvor” ishte programuar kohë më parë. Provat e këtij kalimi gjenden tek transfertat që “Gunvor” ka bërë në një bankë europiane me filial në Shqipëri në favor të rafinerisë. Po tani, çfarë do të bëjë Prokuroria shqiptare? A është e mundur që “investitorët” e huaj të tallen me institucionet ligjore të një shteti në mënyrë kaq të hapur? Si do të sillet politika përballë kompanisë ruse me lidhje të drejtpërdrejtë me Presidentin rus, me vlerë 40 miliardë dollarë dhe e sjellë në Shqipëri falë ish-pilotit nga Amerika?

“Pianeta Italia”

Artikulli paraprakBasha: Rama po nxit krimin të sulmojë gazetarët
Artikulli tjetërShqipëria në emergjencë kombëtare