Zhduket prej një jave avokati, u nis me traget për në Itali

Avokati Besnik Muço rezulton i zhdukur prej disa ditësh. Denoncimin në polici e ka bërë bashkëshortja e tij. Sipas saj, ai ishte nisur në Itali më datën 2 nëntor me linjën Adria, por nuk ka zbritur në Portin e Barit. Në Itali, avokati do të takohej me bashkëshorten, pasi aty jeton familjarisht prej vitesh. Dijeni për vendndodhjen e tij nuk kanë as miqtë apo të afërmit në Shqipëri. Policia ka nisur hetimet, ndërsa pritet të sekuestrojë kamerat e sigurisë së tragetit, për të parë të gjitha lëvizjet e avokatit.
Policia e Durrësit ka nisur hetimet sa i takon zhdukjes së avokatit Besnik Muça. Balkan Web, duke iu referuar burimeve nga Policia e Durrësit, në sistemin TIMS rezulton se avokati Muça ka bërë check in në Portin e Durrësit mbrëmjen e 2 nëntorit, por nuk dihet me saktësi ku mund të jetë zhdukur.
Nga dëshmia e vëllait të tij, mëson se Bujar Muça kishte dokumente të rregullta në Itali, ku prej vitesh jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa kohët e fundit, ai kishte nisur punën si avokat i lirë në Tiranë. Ai udhëtonte të paktën dy herë në muaj nga Porti i Durrësit në Bari për të shkuar në Macerata, aty ku e priste familja.
Në bisedën e fundit që kishte bërë me vëllain, Muça nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim të dukshëm, thjesht e kishte informuar se do shkonte disa ditë të qëndronte pranë familjes, ashtu si edhe herët e tjera. Sipas vëllait, avokati dyshohet të jetë nisur rreth orës 23:00 nga Porti i Durrësit, ndërsa celulari i tij ka qenë i fikur që pas atij momenti.

Artikulli paraprakDy shqiptarë kapen me 32 kg kokainë në Itali
Artikulli tjetër10 gjyqtarë dhe prokurorë në hetim për fshehje pasurie