Ish-kryeministri Berisha denoncon ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafa dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako se kanë fshehur të vërtetën e bllokimit të makinës së Orest Sotës ku u gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Përmes një statusi në Facebook, Berisha shkruan se, në makinën e Sotës, kanë qenë katër veta mes tyre edhe Florian Habilaj dhe shoferi i Tahirit, të cilët në momentin e ndalimit nga policia kanë marrë ¼ e eurove në prani të policisë dhe janë larguar. Më tej, Berisha shkruan se, një nga çantat e mbushura me euro ka përfunduar në zyrën e kryeministrit Edi Rama.
“A mori edhe vetë Noriega një çantë me euro dhuratë nga Saimir Trafiku për të mbyllur skandalin me Orest Sotën? Të dashur miq, të dhëna të pakundërshtueshme të dy ditëve të fundit faktuan se në makinën e Orest Sotës, byrazerit të Saimir Trafikut nuk ishin dy, siç mashtroi Xhafa-Çako, por katër persona, nga të cilët: Florian Habilaj dhe shoferi i Saimir Trafikut dhe se, këta të dy kanë marrë me vete, para syve të policisë, çantat që përmbanin mbi 3/4 e eurove në makinë dhe se Xhafa-Çako janë shpërblyer shumë rëndë për fshehjen e këtij rrëmbimi.
Sot qytetari dixhital informon se, një nga çantat plot me euro ka përfunduar në zyrë të Noriegës. Policia deri dje, për të humbur gjurmët e vjedhjes u thoshte gazetarëve se, ajo nuk i preku paratë, sepse po të donte i merrte dhe nuk tregonte, duke harruar se me këtë, ajo sikur thoshte “hajdut jam, por këtë radhë kujtoni s’e kam vjedhur unë?!”, shkruan Berisha.
Fshehja e të vërtetës së eurove të gjetura në makinën e Sotës është denoncuar një natë më parë edhe nga gazetari Basir Çollaku në emisionin “Opinion”. Gazetari Çollaku deklaroi se në makinë me Sotën kanë qenë 4 persona. “Personat që janë larguar kanë marrë sasinë më të madhe të parave, kur janë larguar. Në mjet ka qenë edhe një nga personat në kërkim, pjesë e grupit kriminal të trafikut, duke shoqëruar ngarkesën e parave”, tha Çollaku.
Gazetari Basir Çollaku u shpreh më tej se, Sota e ka blerë “Land Roverin” 5 ditë para arrestimit dhe nuk është në emrin e tij, por në emrin e një subjekti ndërtimi. Çollaku ka shtuar se mjeti prej kohësh ka qenë nën përgjim dhe operacioni është dekonspiruar. “Përpjekja e policisë për të mos i dhënë njoftimet reale se me çfarë mjeti ka lëvizur personi i ndaluar, sepse ka qenë në përgjim të autoriteteve të huaja dhe ajo që unë di, ka të bëjë me faktin që operacioni është lënë në mes dhe është dekonspiruar. Paratë që janë gjetur janë kusur dhe mjeti ishte nën vëzhgim për të parë se ku do të shkonin këto para”, tha Çollaku.