Gjatë ditës së djeshme u publikua në media një dokument i firmosur nga ish-ministri i Drejtësisë, President i Republikës, Bujar Nishani. Kjo marrëveshje është përmendur edhe një ditë më parë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në bazë të një marrëveshjeje të vitit 2007, që është firmosur nga Bujar Nishani, Policia e Shtetit me atë italiane e firmosin atë për të dhënë ndihmë për policinë tonë, tha Tahiri në “Top Story”. Më pas ministri i Brendshëm shtoi: Në bazë të kësaj marrëveshjeje, hyn në punim edhe përdorimi i një pajisjeje, që tregon se cilat janë numrat e telefonave që funksionojnë në një zonë të caktuar. Pajisja është si të marrësh numëratorin e telefonave fiksë”. Por nga marrëveshja nuk del në asnjë pjesë që të bëhet fjalë për pajisje të përdorura nga pala italiane për trajnimin e policisë shqiptare. Aty flitet për shkëmbime specialistësh dhe organizime seminaresh trajnimi, por jo për pajisjet që do të përdoren në këto seminare. Kjo po zbatohet aktualisht me pajisjen teknike, në trajnimin që po kryen policia shqiptare, thotë Tahiri, i cili e merr të mirëqenë faktin se një marrëveshje trajnimi presupozon edhe instalimin e pajisjeve përkatëse nga trajnuesit. Sipas praktikës së marrëveshjeve ndërkombëtare, të tilla detaje duhet të përcaktohen ose në anekse të të njëjtës marrëveshjeje ose në një marrëveshje të posaçme. Por këtu nuk bëhet fjalë për lapsa e fletore, por për pajisje, përdorimi i të cilave është rregulluar me ligj të posaçëm. Në bazë të po asaj marrëveshjeje që ka publikuar Tahiri, pala italiane angazhohet të kryejë aktivitetin e trajnimit në përputhje me ligjin shqiptar. Ligji shqiptar është i qartë në rastin e përdorimit të pajisjeve të tilla dhe kërkon autorizimin e Prokurorisë ose gjykatës, gjë që në rastin e kësaj pajisjeje nuk rezulton se një autorizim i tillë është dhënë. Sipas interpretimit që Tahiri i bën kësaj marrëveshjeje, nëse Mimi Kodheli do të nënshkruante një marrëveshje për stërvitjen e tankistëve apo pilotëve në Shqipëri, të huajt duhet të sillnin edhe tanke apo avionë lufte për të mësuar “nxënësit” shqiptarë.
HashtagAL