Shqipëria u radhit si një nga vendet më të varfëra të rajonit, duke lënë prapa vetëm Bosnjë Hercegovinën për nga fuqia blerëse. Një indeks i Global Finance që mat nivelin e varfërisë në mbi 180 vende të botës e rendit Shqipërinë në vendin e 95 në rang botëror, duke përdorur si njësi matëse paritetin e fuqisë blerëse (PPP). Mali i Zi u rendit në vendin e 75, Maqedonia në vendin e 84, Serbia në vendin e 89 dhe Kroacia në vendin e 60. Në vendin e fundit në Rajon renditet Bosnja, e cila në listën globale të fuqisë blerëse zë vendin e 104. Global Financë sqaron se në përgjithësi, ka dy metoda standarde për të përcaktuar vendet më të pasura dhe ato më të varfëra të botës. Zakonisht merret në konsideratë Prodhimi i Përgjithshëm Bruto dhe ndarja e tij për frymë. Megjithatë përkufizimi më real dhe më i pranuar mes ekspertëve, por edhe nga vendet e pasura është përcaktimi se sa i pasur është rezidenti i një vendi. Për këtë arsye, metoda më e mirë për të përcaktuar nivelin e varfërisë është fuqia blerëse. Global financë ka rënë dakord se, kjo është metoda ndoshta më e dobishme për të krahasuar dallimet e përgjithësuara në standardet e jetesës në mes të kombeve. Kjo për shkak se fuqia blerëse merr parasysh koston relative të jetesës dhe normat e inflacionit të vendeve. Global Finance e ka bërë renditjen e vendeve, duke marrë si bazë valutën amerikane dollarin, duke korrigjuar edhe efektet e kursit të këmbimit me monedhat vendase. Edhe një studim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për ecurinë e varfërisë në rajon ka gjetur se, Shqipëria dhe Mali i Zi panë rritje të mprehtë të varfërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit pas krizës financiare të vitit 2008. Në një analizë të gjatë për fenomenin, Fondi vë në dukje se, varfëria aktuale dhe pritshmëritë për të ardhurat në të ardhmen ka të ngjarë të ndikojë në rritjen e migrimit nga rajoni, duke i cilësuar si më të prekurat Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Karakteristikat e varfërisë kanë ndryshime të thella mes vendeve. Të anketuarit në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi të ndjehen statistikisht në mënyrë të konsiderueshme më të varfër se ata në Shqipëri (të nxitur nga opinionet shumë negative mbi të ardhurat në të ardhmen). Ekspertët e Fondit kanë vërejtur se ballkanasit e perceptojnë varfërinë më të lartë se sa gjendja e tyre reale. Në rajon të gjitha qeveritë janë trashëgimi e së kaluarës. Por teksa roli i shtetit për të vepruar si një stimul për familjet dhe ekonominë është tkurrur, zhvillimi i sektorit privat nga ana tjetër ka mbetur prapa, siç pasqyrohet në normat e larta të papunësisë. Gjatë krizës dhe pas saj, të ardhurat e qeverive janë ulur, duke vënë nën presion shpenzimet, duke përfshirë pagat, pensionet dhe mbrojtjen sociale. Bumi i fillimit të viteve 2000 solli një rritje të qëndrueshme në të ardhura në të gjithë rajonin. Varfëria ra ndjeshëm, si në aspektin e numrave absolute, megjithatë rritja e shpejtë ka sjellë edhe pabarazi në shpërndarjen e përfitimeve. Edhe në raportin e Vlerësimit të Transparencës Fiskale (FTE) për Shqipërinë, raport i kryer me kërkesë të qeverisë së Shqipërisë nga një ekip nga Departamenti i Çështjeve Fiskale të Fondit në qershor 2015, FMN ka shprehur shqetësime në lidhje me ecurinë e ekonomisë së vendit. Në shumë fusha Shqipëria performon sipas standardeve të përcaktuara me Kodin e Transparencës Fiskale të FMN-së. Rreth 10 parime të Kodit nga 36 gjithsej janë renditur si ose “mirë” ose “të avancuar” dhe 14 parime janë vlerësuar si “bazike”. Megjithatë, në tetë fusha kërkesat themelore të Kodit “nuk plotësohen”. Në raport me tri shtyllat e Kodit, FMN konstaton se raportet fiskale mbulojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të përgjithshme të qeverisë, shpenzimet, financimin dhe borxhin, por ofrojnë pak informacion në lidhje me elemente të tjerë të bilancit, duke përfshirë një vlerësim rreth 83 për qind të PBB-së në asetet fikse dhe financiare dhe 7 për qind të PBB në detyrimet e partneriteteve publiko-private (PPP). Sektori i korporatave publike të Shqipërisë, me aktivet dhe pasivet që zënë rreth 29 për qind të PBB-së, është gjithashtu jashtë raporteve të konsoliduara fiskale. Raportet fiskale përfshijnë disa, por jo të gjitha kontrollet e integritetit dhe mospërputhjet në fluksin e rrjedhjes së parasë kanë qenë të mëdha (rreth 1 për qind e PBB-së), në vitet e fundit. Parashikimi fiskal dhe buxhetimi rregullohet nga legjislacioni gjithpërfshirës dhe një kornizë fiskale afatmesme. Megjithatë, parashikimet zyrtare kanë mbivlerësuar dukshëm si GDP (me 1.5 për qind) dhe të ardhurat (nga 2 për qind të PBB-së) gjatë dekadës së kaluar. Si rezultat, buxheti i miratuar shpesh është reduktuar ndjeshëm gjatë vitit për shkak të mungesës së të ardhurave, duke minuar besueshmërinë e tij.
Kryesore
Continue to the category“Koha që Lulzim Basha të drejtojë Opozitën”
Nga Mirela Karabina
Lulzim Basha, lideri i PD Demokratët Euroatlantikë, ka momentin historik për të marrë drejtimin e një fronti opozitar vlerash përballë së keqes...