Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë se momentalisht sistemi bankar i Kosovës është stabil, i kapitalizuar mirë dhe rentabil.
Sipas tij, niveli i kredive joperformuese vazhdon të mbahet në nivele të ulëta. “Asetet kanë shënuar vlera pozitive të rritjes duke arritur në 3.371 miliardë euro”, është shprehur ai. Ndërkaq sa i përket raportit të kredive me depozita, Balija ka thënë se ky raport qëndron në proporcionin 75 %. “Raporti i kredive ndaj depozitave është rreth 75 %, që do të thotë se ka një likuiditet të mjaftueshëm në sistemin bankar, i cili mund të plasohet në ekonomi në rast se kemi një rritje ekonomike më të madhe dhe kërkesë të shtuar për financim”, ka deklaruar ai.
Balija në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se Shoqata e Bankave të Kosovës ka një plan mjaft dinamik për vitin 2016 në disa fusha, përfshirë këtu harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe implementimin e standardeve ndërkombëtare financiare, adresimin e çështjeve rreth efikasitetit të sistemit gjyqësor, çështjet me procedurat e përmbarimit, përmirësimin e regjistrit të pengut, ngritjen e kapaciteteve të sektorit etj. “Gjithashtu, Shoqata e Bankave ka lansuar fushatën e edukimit financiar, e cila tanimë është duke prodhuar efekte pozitive për klientët bankarë. Ndërsa nga bankat pritet të vazhdojë trendi i përmirësimit dhe zgjerimit të ofertës financiare, gjithnjë duke u bazuar edhe në përmirësimet që duhet të ndodhin në ambientin e të bërit biznes dhe në shkallën e zhvillimit ekonomik në vend”, ka thënë ai.
I pyetur për shtrenjtimin e shërbimeve bankare në bankat e Kosovës, Balija është përgjigjur se deri te kjo ka ardhur, pasi kostoja e fuqisë punëtore në Kosovë është në rritje e sipër. “Përveç rritjes së natyrshme të kostove që ndodhin në ekonomi në lidhje me shkallën e inflacionit, në Kosovë po shohim edhe një tendencë të ngarkesës së punëdhënësve me tatime, tarifa dhe obligime shtesë ndaj resurseve njerëzore, të cilat mund t’i ngrenë kostot e operimit, në veçanti për ofruesit e shërbimeve siç janë edhe bankat komerciale. Në këtë drejtim edhe në sistemin bankar ka një rritje të këtyre kostove dhe bankat komerciale po ofrojnë alternativa nëpërmjet shërbimeve elektronike, të cilat janë shumë më të lira dhe më të shpejta sesa shërbimet manuale”, ka deklaruar Balija, duke shtuar se në këtë drejtim ligjvënësit dhe Qeveria duhet të kenë kujdes të veçantë për ligjet mbi tatimet; Ligjin e Punës dhe aktet e tjera të ndërlidhura; sanksionet e parashikuara në ligje, të cilat duhet të përshtaten me madhësinë e bankave komerciale në Kosovë; si dhe tarifat e tjera që aplikohen në sektorin bankar nga instanca të tjera shtetërore. Sipas tij, në mënyrë që bankat komerciale ta arrijnë përafërsisht fitimin e njëjtë si në vitin e kaluar, është e rëndësishme që ligjet mbi tatimet, obligimet ndaj punëdhënësve si dhe tarifat e tjera shtetërore të mos rriten pasi, sipas tij, kjo do të ndikonte negativisht në trendin e zhvillimit të afarizmit jo vetëm për bankat, por për të gjithë sektorët.