Një çift të moshuarish janë lidhur këmbë e duar dhe u është grabitur pensioni nga maskat ditën e djeshme në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëëm në fshatin Shkallnur të Durrësit. Burimet bëjnë të ditur se, kanë qenë tre persona të maskuar, të cilët kanë hyrë në banesën e një çifti të moshuarish dhe i kanë vjedhur një sasi parash prej 1 milion lekë të vjetra. Nga të njëjtat burime mësohet, se autorët kanë lidhur dhe dhunuar çiftin e të moshuarve, M.E. 77 vjeç dhe bashkëshorten e tij Sh.E. 69 vjeç. Pasi morën paratë, personat e maskuar u larguan në drejtim të paditur.
Në spital me dëmtime më të rënda është dërguar kryefamiljari, 77-vjeçari, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikur për jetën.
Burime policore të qytetit bregdetar sqarojnë se ka dyshime që autorët të kenë qenë edhe të armatosur. Policia bëri të ditur dje pasdite nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, rreth orës 03:00 në Shkallnur 3 persona me kapuç kanë vjedhur me dhunë banesën e shtetasit M.E. 77 vjeç. Autorët kanë lidhur shtetasit M.E. dhe SH.E. 69 vjeçe (bashkëshortë) dhe kanë marrë një sasi parash rreth 100 000 lekë. Shtetasi M.E. ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ka nisur punën për të identifikuar dhe arrestuar autorët e grabitjes.
Grabitet nën kërcënimin e armëve marketi në Pogradec
Një grabitje nën kërcënimin e armëve ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Pogradecit në një minimarket. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur në lagjen nr.2, dyshohet se 4 persona vodhën kasafortën e një minimarketi. Nuk bëhet me dije se sa ishte sasia e parave të grabitura, ndërkohë që policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 20.11.2017, gjatë orëve të para të mëngjesit, jemi njoftuar se në lagjen nr. 2 në Pogradec, është vjedhur kasaforta e një minimarketi brenda së cilës ndodheshin një sasi lekësh.
Nga të dhënat e para dyshohet se kanë qenë katër persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë marrë kasafortën, janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin, kapjen e autorëve si edhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.