Skema e Ramës për kapjen e Prokurorisë

I vetmja betejë që Rama e ka për jetë a vdekje në ditët e ardhshme është ajo për kapjen e kreut të Prokurorisë. Ndërsa Prokuroria ka hapur dosjet e inkriminimit të qeverisë dhe lidhjeve të tyre me mafian, e vetmja valvul shpëtimi për Ramën është uzurpimi i kreut të Prokurorisë.
Rama e kupton se në rast të një Prokurorie të pavarur hetimet herët ose vonë do të arrijnë tek ai, ndaj për të djegur dosjet e korrupsionit dhe krimit në qeveri, atij i duhet kryeprokurori, i cili të zgjidhet me votat e veta dhe të funksionojë jo me ligjin e ri të Reformës në Drejtësi, por me ligjin e vjetër.
Dje në media u shpërnda një draft se si mund të zgjidhej Kryeprokurori në kushtet kur ende nuk është ngritur institucioni i KLP-së, që sipas përcaktineve të reja kushtetuese të Reformës në Drejtësi do të duhet të zgjidhte Prokurorin.
Sipas draftit të shpërndarë me porosi, votimi për kreun e Prokurorisë në rastet kur ai është i përkohshëm bëhet me një shumicë të thjeshtë, pra vetëm me votat e Ramës. Kjo bie ndesh me të gjitha përcatimet kushtetuese për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë sipas Reformës në Drejtësi. Kjo reformë e ka të përcaktuar qartë se zgjedhja bëhet fillimisht me 2/3 e votave të Parlamentit. Në rast se nuk arrihet kjo shumicë, atëherë zgjedhja bëhet me 3/5 e votave. Fryma kushtetuese nuk lejon dhe nuk shprehet në asnjë rresht të saj që një prokuror qoftë ai edhe i përkohshëm të mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Këtë e nënkupton vetëm Rama dhe duhet kuptuar edhe halli se përse e synon këtë zgjidhje antikushtetuese.

Pse Ramës i duhet një prokuror i përkohshëm

Në skenë dje ka dalë teza e një prokurori të përkohshëm, vetëm që në krye të institucionit të akuzës të mos qendrojë Llalla, i cili nuk është garant i mafias. Kërkohet largimi me çdo kusht i tij dhe zëvendësimi në një mënyrë krejtësisht antikushtetuese. Rama synon që ta bëjë fakt të kryer këtë artificë ligjore për të marrë kohë sado pak me zgjedhjen e njëanshsme të kreut të Prokurorisë. Ai do ta quajë një prokuror të përkohshëm. Farsa e kësaj zgjedhjeje në mënyrë mafioze shkon edhe më tej. Duke qenë i përkohshëm, Rama kërkon t’i japë atij pushtetet jo të një Kryeprokurori sipas ligjit të hartuar nga Reforma në Drejtësi, por sipas kompetencave që Kryeprokurori ka aktualisht.
Përse i intereson në këtë mënyrë? Ndryshimi është i thjeshtë. Një kryeprokuror me kompetencat e reja që i jep Reforma në Drejtësi nuk mund të bëjë zëvendësime të prokurorëve që fjala vjen hetojnë lidhjet e qeverisë me krimin dhe mafian. Këtë kompetencë sipas ligjit të ri e ka KLP, e cila ende nuk është krijuar. Ramës nuk i duhet ky kryeprokuror. Ramës i duhet një Kryeprokuror me kompetencat që ka aktualisht Llalla. Arsyeja është mjaft e thjeshtë për t’u kuptuar. Me një kryeprokuror të tillë të ashtuquajtur të përkohshëm, Rama mundet që brenda një periudhe disa javore të bëjë shkarkimin e të gjithë prokurorëve që janë duke hetuar dosjet e nxehta të lidhjeve të qeverisë me mafian. Dhe pasi t’i ketë zëvendësuar këta prokurorë përmes njeriut të tij që ai e synon në krye të akuzës, atëhere ai është i gatshëm që t’i hapë rrugë zgjidhjes së një prokurori sipas Reformës në Drejtësi, sepse ky kryeprokuror nuk do të ketë mudësi për të shkarkuar më të emëruarit politikë të Ramës si prokurorë në të gjithë Shqipërinë.

Rama, ofertë për destabilizim

Kapja e institucionit të Prokurorisë nga kreu i organizatës kriminale sot në qeveri është një ofertë për destabilizim. Kjo do të nënkuptonte kapjen e Prokurorisë nga mafia dhe instalimin e një junte mafioze në sistemin e drejtësisë. Pra, do të kemi shtrirjen e mafias nga qeveria tek drejtësia. Ndaj Rama edhe dje në mbledhjen e Grupit parlamentar i bënte thirrje Tahirit që të qëndrojë i qetë për skandalin e kapjes së makinës me 863 mijë euro dhe dy patentave të tij për drejtim anijesh, pasi ai po kërkon të zbatojë skemën e kapjes së Prokurorisë dhe pas kësaj e ka të lehtë të shpëtojë Tahirin, Habiljat, Dakon, Lalën dhe të gjithë mafiozët e tjerë që sot drejtojnë vendin.

Tre dosjet e nxehta që përvëlojnë Ramën

Lidhjet e njerëzve të Ramës me trafikun e drogës janë të frikshme, por tre prej këtyre dosjeve nëse dalin në ditë dhe çohen deri në fund fundosin Ramën përfundimisht. Saimir Tahiri po ndihmohet me mish e me shpirt nga Rama që t’i shpëtojë drejtësisë. Ashtu si edhe Vangjush Dako apo edhe Qazim Sejdini. Që të tre këta personazhe, të mbajtur shumë pranë nga Rama janë nyje lidhëse të forta të bandave të krimit e trafikut me Ramën. Të gjitha aktivitetet e tyre kriminale janë zhvilluar për llogari të Ramës dhe me dijeninë e plotë të tij.

Saimir Tahiri, dosja Habilaj dhe hetimi i drejtësisë italiane

Emri i ish-ministrit të Brendshëm, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, ka dalë nga përgjimet ambientale të Policisë italiane, e cila ka vënë në pranga rrjetin e bandës së “Habilajve” nga Vlora. Moisi Habilaj është kushëriri i Saimir Tahirit, i cili ka përdorur makinën e ministrit të Brendshëm të asaj kohe për të kaluar në Itali, makina “Audi Q8”, AA 003 GB, e bërë e famshme pas akuzave të opozitës. Prokuroria e Katanias ka vënë në pranga rrjetin e drogës, që transportonte në Itali sasi të mëdha hashashi dhe aktualisht është duke hetuar lidhjet që çojnë në implikimin direkt të Saimir Tahirit me trafikun e Drogës. Aktualisht, Rama është duke u përpjekur me të gjitha forcat për të manipuluar çështjen Tahiri. Por nga ana tjetër, një tjetër ngjarje e afërt nxiti zhvillime në faktimin e lidhjeve të Tahirit me trafikun e drogës. Gjetja e dy patentave të Saimir Tahirit në momentin e arrestimit të Sotës është elementi lidhës që prokurorët duan ta shfrytëzojnë në bashkimin e dy procedimeve. Arrestimi i biznesmenit Orest Sota, të cilën iu gjetën 863.100 euro në makinë sëbashku me dy patenta drejtimi mjetesh lundruese të ish-ministrit Saimir Tahiri pritet të prodhojnë një zhvillim të ri. Çështja në ngarkim të Orest Sotës, djali i biznesmenit Lefter Sota që u kap afër kompanisë së çelikut “Kurum” në Elbasan, me këtë shumë eurosh do t’i bashkohet të njëjtit procedim penal me nr.134 ku po hetohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Qazim Sejdini, vrasje, trafik masiv droge dhe korrupsion i shfrenuar

Hetim për trafik droge dhe lidhje me vrasje janë pjesë e dosjes së Qazim Sejdinit në Prokurori. Ngjarja e 18 shtatorit në Elbasan, ku u godit makina e policisë nga një “Audi” i blinduar ka detyruar Prokurorinë të hapë edhe dosje të vjetra mbi bandat e qytetit. Një prej emrave më të lakuar është ai i Suel Çelës, djalit të biznesmenit Petrit Çela, që administron Tregun Agroushqimor të qytetit. Emri i tij ka qenë i njohur për Policinë e Elbasanit, pasi është i përfshirë në disa ngjarje kriminale, por që forcat e policisë ishin të pafuqishme për ta arrestuar për shkak të mbështetjes publike, që ka nga kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe vetë kryeministri Rama. Suel Çela me bandën e tij i kanë siguruar votat Sejdinit për t’u zgjedhur kryetar Bashkie nëpërmjet presionit dhe kërcënimeve me armë të votuesve. Nga ana tjetër, Qazim Sejdini ka edhe një agjensi doganore që po hetohet për trafik droge.

Dako, nga kërdia me tenderat tek Lulzim Berisha

Me një pasuri marramendëse prej miliona eurosh, të ngritura nga kërdia me tendera, lidhjet me trafikun e drogës dhe bandat më të rrezikshme kriminale të Durrësit gjithashtu, Dako është sot një nga personat që rrezikon seriozisht burgun. Pak javë më parë, për arsyet e sipërpërmendura atij jo më kot iu refuzua viza për të vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I cilësuar si Sheiku i Durrësit për shkak të megakorrupsionit me tenderat e Bashkisë e me një pasuri që kap miliona euro, Vangjush Dako ka një tjetër anë të errët në përdorimin e pushtetit. Lidhjet e tij me krimin. Opinioni publik u shokua kur Lulzim Berisha, një nga kriminelët më famëkeq për drejtësinë shqiptare u lirua me ndihmën e posaçme të Vangjush Dakos dhe presioneve të ushtruara prej tij. Lirimi me kusht i ish-kreut të së ashtuquajturës “Banda e Durrësit” është përcjellë me akuza për korrupsion në radhët e gjyqësorit në Shqipëri, si nga faktorët vendas ashtu edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që liria e parakohshme e Lulzim Berishës, nuk ka ardhur vetëm si pasojë e vendimeve të debatueshme të gjykatave, por edhe nga një ofertë për punë nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakNjë letër si vetakuzë fatale e Noriegës për veten e tij!
Artikulli tjetërQeveria bllokon llogarinë bankare të “RD”