Mateo Kovaçiç është më shumë se një ide për të ardhmen e Milanit. Administratori i deleguar Adriano Galliani, ka bërë një sondazh për kroatin dhe ka kuptuar që ish-mesfushori i Interit do të të kthehej me shumë kënaqësi në Milani, sepse po kalon shumë vështirësi në klubin merengues ku nuk po gjen hapësirt e nevojshme. Kuqezinjtë janë gati të presin krahëhapur, por para se Galliani të nisë bisedimet me Perez, duhet të kuptojë të ardhmen e shoqërisë, që mund t’i besohet kinezëve, si dhe projektin teknik.
Burime shumë pranë mesfushorit konfirmojnë dëshirën e tij për t’u kthyer në Serinë A, i shtyrë edhe nga e fejuara, që kërkon të rikthehet në kryeqendrën italiane të modës.
Një javë më parë, 22-vjeçari është parë në Milano në shoqërinë e miqve të tij, një rast ideal ky për një bisedë pune me Adriano Gallianin.
Marrëveshja duket mëse e mundshme, nëse merren në konsideratë edhe marrëdhëniet e mira mes dy klubeve. Ideja e drejtuesve kuqezi është ta marrin kroatin në formën e huazimit me të drejtën e blerjes.
Ndërkohë, Cristian Brocchi vazhdon të vuajë humbjen me Romën në “San Siro”, por në shpirtin e tij ekziston një dëshirë e zjarrtë për të mposhtur Juventusin në finalen e Kupës së Italisë. I takon trajnerit të Milanit, që si futbollist ka ngritur disa trofe me fanellën kuqezi, të transmetojë te lojtarët motivimin e duhur para ndeshjes së fundit të sezonit. Sigurisht jo të gjithëve, sepse ndihet i tradhtuar nga disa prej tyre.
“Tani i kam idetë e qarta për lojtarët që nuk mund të më bëjnë asgjë. Shpresoj që çdo futbollist të ketë brenda tij dëshirën për të fituar. Nuk e pranoj idenë se ai që nuk ka fituar më parë, s’ka mentalitetin e duhur. Nga humbja me Romën kuptova që skuadra nuk ishte gati për finalen me Juventusin. Tani nuk dua asnjë alibi. Nëse do të luanin si ndaj Romës, do të zhdukesha larg”, u shpreh Broki.
Më pas një kritikë e Brocchit edhe për Shoqërinë kuqezi. “Skuadra e sotme është shumë larg Milanit të madh. Me sa duket hallkat e shoqërisë nuk funksionojnë si duhet”, tha ai.
Gjithsesi ish-mesfushori i Milanit, është i bindur për punën e tij. “Edhe nëse do të triumfojmë, pas euforisë fillestare, do të ndjeja të njëjtat gjëra. Nuk jemi në lartësinë e duhur. Nuk mendoj për të ardhmen. Çfarëdo që të ndodhë, do të kem bindjen se jam një trajner i zoti. Jam i sigurtë se puna ime, nëse do të më jepet koha e mjaftueshme, do të ketë rezultate. 35 ditë pas emërimit trajner i Milanit, kam karakter më të fortë”, përfundoi Broki.