Seanca gjyqësore për Alket Hatinë është shtyrë sërisht. Shkak për këtë është bërë mosardhja e përgjigjes nga shteti italian. Alket Hatija po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet në arrati. Gjyqi i të mërkurës (22 nëntor) u zhvillua pa praninë e medias. Më herët në seancën paraardhëse mbrojtja për Hatinë ka deklaruar se drejtësia italiane nuk njeh vendimet e gjykatave shqiptare, ndërsa Hatia e ka vuajtur dënimin për të cilin kërkohet nga pala italiane.
Alket Hatija u arrestua më 8 korrik të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për shkak të një dënimi me 20 vjet burg, të lëshuar nga Gjykata e Apelit në Milano në vitin 2015 për veprën penale të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Më 11 korrik, Prokuroria kërkoi masën e “arrestit me burg” me qëllim ekstradimin e tij, por që u la i lire nga gjyqtari Petraq Çuri, duke i dhënë masën detyrim paraqitje, me argumentin se në dosjen e Hatijas mungonte një kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë. Prokuroria e çoi çështjen në Gjykatën e Apelit, duke paraqitur si provë edhe kërkesën e ministrit të Drejtësisë për aplikimin e masës shtrënguese “arrest me burg” për qëllime ekstradimi.
Alket Hatija u arrestua për herë të parë në vitin 2008 me kërkesë të autoriteteve italiane, pasi akuzohej se ishte pjesë e një organizate kriminale në drejtim të trafikimit të qindra kilogramë heroinë në Itali. Çështja u transferua në Shqipëri për gjykim, ku pas shqyrtimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Hatija u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg, dënim të cilin e kreu të plotë në Shqipëri.