Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Rafinerinë e Ballshit, ku si pasojë është plagosur një punonjës. Lajmi fillimisht u publikua nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazhit të marrë nga një qytetar nga Ballshi. “Qytetari dixhital denoncon: Një shpërthim në Rafinerinë e Besos së Partisë dhe Olsit në Ballsh. Plagosjen rëndë të një punëtori nga shpërthimi i përsëritur herë pas here dhe që një vit më parë i mori jetën një punëtori. Mungesën e kushteve të sigurisë në punë për punëtorët, por edhe banorët e zonës. Katastrofën mjedisore që shkakton uzina e mafies Sula-Rama si dhe shkarkimet e gazrave pa asnjë kontroll në ajër, gjithashtu dhe hedhjen e mbetjeve toksike në Gjanicë. Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor. Jam një qytetar mallakastriot. Sot në orët e para të mëngjesit në Rafinerinë e Ballshit ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm me pasojë dëmtimin e një punonjësi dhe ndotje mjedisore që në çdo vend të zhvilluar do të rezultonte me pezullimin e menjëhershëm të punës në kushte mizerabel si dhe marrjen e masave për evakuim të paktën të banorëve që jetojnë disa dhjetëra metra afër si dhe një shkollë që ndodhet disa qindra metra larg. Ky është rast i përsëritur, pasi disa muaj më parë një punonjës humbi jetën nga një shpërthim i ngjashëm. Pa përmendur ajrin që thithim çdo ditë dhe shkarkimet që kryen çdo ditë në lumin Gjanica. Të paktën që mund të bëjnë administratorët është që herë pas here të bëjnë remont siç bëhej dikur për të shmangur rrjedhjet dhe të vendosin filtra që të minimizohet ndotja. E duam jetën tonë dhe të fëmijëve tanë ndaj denoncoj”, shkruan qytetari.
Pas 8 orësh lajmi u publikua edhe nga Policia e Shtetit. “Sot rreth orës 07:20, në Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, në repartin e “Koksit” ka rënë zjarr (digjen mbetjet toksike të naftës). Si pasojë e zjarrit është dëmtuar lehtë shtetasi L.Y, 53 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Mallakastër (punëtor i këtij reparti), i cili po merr mjekim në spital. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit, i cili është vënë nën kontroll. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.