Tenderi, kryebashkiakia miliardere e Roskovecit, 32 mln lekë për një shtatore

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, është një nga zyrtarët më të pasur në Shqipëri. Ajo ka deklaruar një pasuri prej 1.2 miliardë lekësh, si dhe 200 milionë kesh në shtëpi, plus pronave marramendëse të paluajtshme. Bufi është kryetare e Bashkisë së Roskovecit që prej zgjedhjeve të qershorit të vitit 2015, ndërsa ka qenë më parë deputete e Partisë Socialiste. Në bazë të deklarimit të zonjës Bufi, pjesa më e madhe e kësaj pasurie është vendosur nga puna në emigracion, por pa specifikuar se për çfarë pune bëhet fjalë.
Ndërkohë, “Bold News”, në përpjekje për të hedhur dritë mbi veprimtarinë publike, ka siguruar disa dokumente, ku kjo miliardere ka akorduar plot 32 milionë lekë për ngritjen e një shtatoreje. “Bashkia e Roskovecit ka hapur një prokurim me objekt ideimin, modelimin dhe realizimi në bronz të shtatores ‘Bukuroshja e Strumit’. Fondi limit është 3.250.000 lekë pa TVSH, vënë në dispozicion nga të ardhurat e bashkisë për vitin 2016”, thuhet në këto dokumente.
Sipas disa dokumenteve të tjera që disponon “Bold News”, rezulton se statuja “Bukuroshja e Strumit” është konceptuar në vertikalitet dhe simetri, rregulla dhe kanone, të cilat janë tashmë të konsoliduara dhe të njohura në skulpturën monumetale botërore. Kjo tendencë, shkruhet në tender, mendohet se do t’i shtojë shumë hijeshi dhe “indiferencë” bukurisë, kësaj simbolike të pamëshirshme dhe të pandryshueshme të “Bukuroshes së Strumit”, kreaturës popullore të zonës së Myzeqesë.
“Indiferenca ka të bëjë me simbolikën e bukurisë, sepse në atë shihet, ndërsa ajo duke qenë e përjetshme dhe eterne në brendinë e saj vështrimin e ka hyjnor. Statuja do të ketë veç të tjerash edhe elemente dekorative, lineamente dhe pjesë të kostumografisë pa i përshkruar dhe ilustruar në mënyrë të tillë që të garantojë funksionin e imazhit dhe shprehje simedjate. Ky konceptim është ngushtësisht i lidhur me vendin ku ajo do të ‘pozojë’ në rreth qarkullimin hyrës të qytetit, kësisoj ajo do të jetë dhe imazhi arketip i mirëseardhjes dhe i mikpritjes. Përveç këtyre në statujë do të jenë simbolet e ujit me shtamën mbi kryet e Bukuroshes dhe në përparësen e saj do të ketë shenja në vëllim, të frutave të zonës”, shkruajnë zyrtarët e Bashkisë së Roskovecit.
Disa të dhëna teknike:
1- Statuja do të jetë në bronz.
2- Dimensioni 350×80 cm (në ballor).
3- Bazamenti i statujës do të jetë në gur (i bardhë në okër) me përmasa: 150 x 100 x100 cm.
4- Pesha totale e objektit bronz dhe gurë do të jetë afërsisht 5 tonë.
5- Platforma në të cilën do të vendose skulptura do të jetë rrethi i përcaktuar në diametër 30 m.
6- Në këtë platformë do të vendosen 14 shenjëza të simbolikës së ujit që do të identifikojnë 14 fshatrat që rrethojnë qytetin e Roskovecit.

Artikulli paraprakVeliaj vijon sulmin ndaj gjykatës dhe kërcënon qytetarët
Artikulli tjetërSkandali i rafinerisë së Lushnjës. Qeveria i dha koncesionin kompanisë së bllokuar nga IQT