Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, foli para mediave pas ndeshjes në Torino, kundër Juventusit. Ai dha shpjegime edhe për zëvendësimin e Messit. Me versionin e tij, ai nënkuptoi se kjo ndodhi për arsye thjesht teknike. Në lidhje me përmbledhjen e ndeshjes, trajneri i katalanasve nënvizoi: “Ne kemi një ndjenjë të mirë. Kishim ardhur me synimin për të fituar, por edhe barazimi e përmbush misionin tonë. Kemi luajtur me personalitet, sepse Juventusi ushtroi shumë presion. Ka pasur shumë momente në ndeshje, kur kemi dominuar”.
Duke sqaruar lënien në stol të Messit, Valverde ka shpjeguar: “Ai ka një akumulim të lojërave dhe mund të pushojë pak kohë, duke hyrë në gjysmën e dytë të ndeshjes. Ky ishte vendimi. Këto janë gjëra të karakterit të brendshëm, që trajnerët i trajtojnë. Ter Stegen vendimtar? Ai është në një moment të shkëlqyer”. Në fund, edhe një mesazh për kolegun e La Liga-s, Berizzo, që u diagnostikua së fundi me kancer: “Ai është një trajner, me të cilin kam shumë lidhje. Kam biseduar shumë me të, i dërgoj mbështetjen time të plotë dhe, gjithashtu, të gjithë Barcelonës. Eshtë një lajm i keq, por ne e dimë që të gjithë do ta mbështesim”.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, vlerësoi ekipin e tij për përballimin e “lojtarëve të jashtëzakonshëm” me një barazim 0-0, në Ligën e Kampionëve, kundër Barcelonës. Barazimi pa gola në Torino e la Juven të dytin në Grupin D, tri pikë mbas gjigantëve të La Liga-s, Barça. Por, duke dalë nga një humbje shokuese 3-2 në fushën e Sampdorias, në Seria A, Allegri ishte i kënaqur me mënyrën se ekipi i tij u mbrojt të mërkurën. “Djemtë bënë me të vërtetë mirë. Kur luani lojëra si kjo, gjithkush duhet të mbrojë. Kemi punuar mirë, kur nuk ishim në zotërim të topit dhe ia bëmë të vështirë Barcelonës që të kalojë përmes mbrojtjes sonë, tha ai.
“Kjo do të thotë se kemi bërë mirë dhe duhet të nisemi nga këtu. Sot më interesonte më tepër performanca sesa rezultati, sepse në Genoa kemi pranuar gola që Juve nuk mund t’i pranojë. Sonte, përballë disa lojtarëve të jashtëzakonshëm, ne kemi mbajtur një nivel shumë të lartë të fokusit dhe ata nuk na kanë lënduar. Kur Juventusi mbrohet kështu, është shumë e vështirë për t’i shënuar”, tha Alegri. Juve mbetet e mirëvendosur për të arritur raundin tjetër të Champions-it, teksa do të përballet me një udhëtim në fushën e Olympiacos, në ndeshjen e fundit në grup, më 5 dhjetor. Të besuarit e Allegrit janë një pikë përpara Sporting Lisbona, e vendosur në vendin e tretë në grup”.