Kryemadhi: Rama po fsheh kryepolicët e drogës

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama se po fsheh të kërkuarit nga drejtësia. Gjatë një konference, kryetarja e LSI-së tha se, Rama dhe bashkëpunëtori i tij siç e quan ajo, Saimir Tahirin, pengojnë arrestimin e vëllezërve Habilaj. Kjo bëhet sipas saj, për shkak se ata mund të flasin. “Urdhërarrestet për 3 ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit janë faktet më të fundit alarmante për të treguar që rendi nuk ekziston më në Shqipëri. Përfshirja në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike të kupolës së Policisë së Shtetit vërteton edhe njëherë akuzat tona dhe të një pjese të medias, se Narkoshteti nuk ka ndaluar aktivitetin e tij. Përkundrazi me fshehjen që po u bën 3 të akuzuarve të drejtësisë po vërteton përpara shqiptarëve se vijon të jetë pjesë e banditizmit të Habiljave apo të bandave të tjera që kanë në pronësi drogën në Shqipëri. Ky veprim i sotëm është në vazhdim të mbrojtjes së bandave të drogës dhe tregon edhe njëherë, se sot e kësaj dite nuk janë ndaluar nga policia 2 vëllezërit Habilaj, të cilët janë në kërkim. Askush më mirë se sa Edi Rama nuk e di se ku fshihen të kërkuarit e Drejtësisë. Ai së bashku me mikun e tij dhe bashkëpunëtorin e tij Saimir Tahiri, janë në dijeni të çdo lëvizje të tyre dhe janë në dispozicion të fshehjes së tyre. Kjo për faktin e thjesht se kanë frikë, se nëse dikush nga ata flet, flet për çorbën që zien në kazanin e krimit, e cila do të nxjerrë në krye të saj emrin e Edi Ramës, njeriu që mban përgjegjësinë kryesore për kanabizimin dhe banditizmin e qeverisjes në Shqipëri. Njeriu që sot ka frikë më shumë se 3 policët e akuzuar për trafik, por edhe më shumë se sa vetë Haki Çako apo drejtues të tjerë të policisë që janë njësoj të implikuar në trafikimin dhe bashkëpunimin me bandat kriminale, me të njëjtat banda që garantuan fitoren me votat e blera, me paratë e krimit, të njëjtat banda që i japin sot garancinë Edi Ramës se do të vijojë të drejtojë Shqipërinë”, tha ajo. Në fund të fjalës së saj Kryemadhi tha se, fronti opozitar është i vendosur për ta larguar nga pushteti Edi Ramën, ndërsa përshëndeti deklaratën e ambasadorit të SHBA-së në OSBE, i cili foli në mënyrë të drejtpërdrejtë për kriminalizimin e vendit. “Ndaj sot më shumë se kurrë, fronti ynë opozitar kundër krimit të organizuar dhe mafies që mban peng pushtetin e blerë me votat e drogës duhet të bashkojmë forcat dhe të shporrim njëherë e mirë nga pushteti këtë lloj politikani që është përlyer në pazare dhe trafiqe me banditë. Sot, Edi Rama dhe oborri i tij heshtin për skandalin e radhës, hesht ish-ministri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por ta kenë të qartë se heshtja e tyre nuk do t’i shpëtojë dot as nga fajësia dhe përgjegjësia që kanë për katastrofën ku po çojnë Shqipërinë. Sot dua të përshëndes deklaratën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë në këtë situatë, për të cilën ndodhet Shqipëria. LSI ka të njëjtin qëndrim të palëkundur se, korrupsioni dhe kriminaliteti ngelen pengesat më të mëdha për zhvillimin e Shqipërisë. Kjo deklaratë, e cila flet me emra të përveçëm dhe vendos gishtin mbi plagë është e kundërta e gjuhës së rrumbullakosur që kemi dëgjuar rëndom për këtë situatë kritike, ku krimi dhe droga janë ulur këmbëkryq në qeverisjen e Rilindjes”.

Artikulli paraprakPse hesht Rama për faturën 2 miliardë euro që ka në tavolinë?
Artikulli tjetërIslami: Letra e Kamian, qendrim i Uashingtonit