Oficerët e drogës po fshihen në Shqipëri?

Tre ish-drejtorët Policisë që iu lëshua urdhër-arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda fshihen në Shqipëri. Urdhër-arresti ndaj ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-Shefit të Krimit të Organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila dhe ish-Shefit të Kufirit në Dhërmi, Sokol Bode është lëshuar ditën e mërkurë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas mbërritjes së dosjes së dytë nga Prokuroria e Katanias me përgjimet e bandës së Habilajve. Në fakt, hetimet ndaj tre ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Vlorës kishin nisur nga Prokuroria që para një viti dhe u thelluan pas arrestimit të Florian Habilajt në Itali.
Tre oficerët e lartë të policisë të implikuar në trafikun e drogës janë larguar nga Shqipëria disa javë më parë, por edhe rezultojnë, sipas burimeve hetimore të kenë hyrë në Shqipëri pa u regjistruar në sistemin TIMS. Gazetarët në emisionin “Opinion” kanë bërë publik edhe destinacionet e tyre. Një prej të kërkuarve është larguar në drejtim të Italisë, një tjetër në drejtim të Greqisë dhe një tjetër drejt Malit të Zi. Dekonspirimi i dosjes hetimore duket se ka ndodhur javë më parë, që ditën kur u kërkua arrestimi i Tahirit. Më pas ata janë rikthyer në Shqipëri pa u regjistruar në sistemin TIMS. Burimet saktësojnë se të tre oficerët kanë qenë nën vëzhgim deri në momentin kur ka dalë urdhëri për arrestim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda
Pak ditë pasi Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit Tahiri, tre ish-drejtorët Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode janë larguar jashtë shtetit, duke u regjistruar në sistemin TIMS. Bëhet e ditur se ata kanë qëndruar vetëm disa ditë jashtë dhe janë kthyer sërish, por jo në dogana, por në kufirin e gjelbër. Kjo manovër është përdorur nga ata për të përgatitur arratisjen, nëse Prokuroria do të kërkonte arrestimin e tyre. Tashmë që u lëshuan fletë-arrestet ata po qëndrojnë të fshehur për t’u arratisur jashtë shtetit dhe më pas të deklarojnë se kanë qenë jashtë shtetit para se Prokuroria të lëshontë urdhër-arrestet. Dhe për këtë qëllim nuk janë regjistruar në sistemin TIMS kur janë kthyer nga jashtë.

Pse nuk u lëshuan më herët fletë-arrestet

Gazetarja Klodiana Lala tha se fletë-arrestet ndaj 3 ish-zyrtarëve të lartë të policisë, u lëshuan këto ditët e fundit, pasi tashmë prokurorët e Krimeve të Rënda kanë në duart e tyre dosjen e plotë të Katanias me përgjimet e Habilajve. Në emisionin “Të Paekspozuarit” në “News24”, gazetarja tha se ata akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda, vendosi t’i drejtohet Gjykatës për masë sigurie, në momentin që mori në dorë dosjen e dytë që erdhi nga Katania. Këta zyrtarë dalin të implikuar në këtë dosje. Së dyti, ka pasur një hetim në maj-prill të 2016-ës, dhe ka nisur një hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda”, u shpreh Lala.
Gazetarja e kronikës deklaroi gjithashtu, se edhe SHISH ka raportuar për këta 3 ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. “Gjithashtu ka pasur edhe më herët raporte nga Shërbimi Informativ, mbi një informacion që ka ardhur dhe është nisur një hetim në Vlorë, për kultivim të lëndëve narkotikeve. Bëhej fjalë për sasinë e 26 tonëve në ato kohë, ku u përgjua oficeri Renato Avdulaj, si i dyshuar për lidhje me një grup kriminal. Në kuadër të këtyre hetimeve, ka prova konkrete që sipas Prokurorisë janë përfshirë me Habilajt”, shtoi më tej gazetarja.

Ish-drejtorët kishin të fshehura në shtëpi mbi 5 milionë euro

Tre ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, të shpallur në kërkim për lidhje me organizatat kriminale të trafikut të drogës, kishin në shtëpi mbi 5 milionë euro të fshehura. Gazetari Basir Çollaku deklaroi mbrëmë në studion e emisionit ‘Opinion’, se ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode të shpallur në kërkim nga policia, kishin të fshehura mbi 5 milionë euro në shtëpi.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërMinjtë po ikin!