Minjtë po ikin!

Të parët që e ndjejnë tërmetin janë minjtë. Në rastin konkret minjtë janë pikërisht këta tre ish-drejtuesit e lartë të policisë, të cilët për t’iu fshehur urdhër arrestit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë zhdukur. Një akt burracakësh dhe që është diskretitimi më i madh i një pushteti të shndërruar në organizatë të krimit të organizuar.
Përse do të duhet të largohen këto tre ish-drejtues policie sa kohë ish-ministri i tyre thotë se nuk ka prova për të arrestuar? Përse i fshihen drejtësisë këta kur kanë edhe mbështetjen e shumicës parlamentare, e cila nuk lejon hetimet e plota të Prokurorisë për dosjen Antimafia italiane dhe i jep imunitet Tahirit?
Këta po ikin se po ndiejnë që perandorisë së krimit dhe drogës që kishin në këto katër vjet i ka ardhur fundi. Ndërkombëtarët që deri tani dukej sikur ishin të heshtur në fakt nuk paskan qenë kaq të heshtur sa dukeshin. Ata kanë vepruar përgjatë këtyre muajve dhe viteve për të mbushur një dosje të plotë të pushtetit të kapur në krim dhe për të çuar para drejtësisë të paprekshmit. Pikërisht kur po vjen ora që të paprekshmit të përgjigjen, minjtë po ikin.
Nëse do të kishin qoftë edhe një fije të vetme besimi se do ja hidhnin edhe kësaj here, këta minj ish-drejtorë të lartë në polici do të shkonin vetë në dyert e komisariateve, por ata e kuptojnë se i kanë rënë garantet krimit të tyre, trafikut të drogës dhe armëve.

Si u larguan?

As Jaeld Çela, as Sokol Bode dhe as Gjergji Kohila nuk kanë imunitet si Saimir Tahiri, që të shpëtojnë nga arrestimi. Të tre u zhdukën pa lënë gjurmë për ish-vartësit e tyre. Largimi nuk ka qenë i vështirë për ish-shefat e policisë, që janë shpallur në kërkim për dosjen Habilaj, për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Prokuroria i nxorri urdhër-arrestet që në orët e para të mëngjesit ditën e mërkurë, por lëvizja e policisë u bë gjatë pasdites. Më vonë gjatë mbrëmjes, lajmi për kërkimin e tyre u publikua në media. Rreth orës 18:30 mediat publikuan lajmin për lëshimin e fletë-arresteve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për tre ish-drejorët e Policisë së Shtetit. Në këtë kohë, policia ka nisur të veprojë për arrestimin e tyre, pasi ata ishin larguar.
Pas arratisjes së 3 ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme nxori një njoftim për mediat. Sipas njoftimit të Xhafajt, një urdhër-ndalimi dhe një vendim gjykate për burg janë dorëzuar në SHÇBA nga prokurorët e Krimeve të Rënda në orën 10:30 minuta të ditës së mërkurë. Prokurorët kishin edhe tre vendime të Gjykatës së Krimeve të Rënda për kontrollin e banesave të ish-zyrtarëve të policisë.
Ministria e Brendshme pranoi se urdhëri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e tre ish-drejtuesve të policisë ka mbërritur në ministri në zyrën e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në orën 10:30 të datës 22 nëntor. Në datë 22 nëntor 2017, rreth orës 10:30 minuta, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka marrë nga Prokuroria për Krimet e Rënda dy urdhra-ndalimi dhe një vendim të Gjykatës për Krimet e Rënda, për masë sigurie në mungesë “Arrest në burg”. Gjithashtu janë marrë për ekzekutim edhe tre vendime të Gjykatës për Krimet e Rënda për ushtrim kontroll banese, mbi bazën e një procedimi të nisur në vitin 2016 nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Tiranë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Por megjithëse urdhër-arrestet e Prokurorisë kanë mbërritur në Ministrinë e Brendshme në orën 10:30 policia është vënë në veprim pas 8 orësh rreth orës 18:30, pasi është bindur se tre të kërkuarit kanë arritur të largohen nga vendi.
Eshtë mëse e qartë se mosveprimi i policisë për të ekzekutuar urdhër-arrestet e Prokurorisë për 3 ish-drejtorët e policisë të përfshirë në trafikun e tonelatave të drogës. Rama urdhëroi arratisjen e zyrtarëve të lartë të policisë për t’u mbyllur gojën. Jo vetëm kupola e policisë, por e gjithë qeveria me Ramën në krye janë të inkriminuar në kanabizimin e vendit dhe trafikun e tonelatave të drogës.

Prokuroria thërret kreun e SHÇKB

Prokuroria për Krimet e Rënda thirri dje në mëngjes drejtorin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj. Bëhet e ditur se kreu i SHÇKB është thirrur nga prokurorët për mosekzekutimin e urdhër-arresteve për tre ish-zyrtarë të Policisë së Vlorës. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se, ka qenë grupi hetimor që e ka thirrur kreun e SHÇKB dhe i ka kërkuar sqarime mbi arsyet se përse nuk janë ekzekutuar arrestimet. Mësohet se kreu i SHÇKB ka thënë se, po hetohen disa oficerë, pasi ka dyshime se kanë dekonspiruar operacionin për arrestimin e Jaeld Çelës, Sokol Bodes dhe Gjergj Kohilës.
Që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, Prokuroria e Krimeve të Rënda nxori 3 urdhër-arrestet. Duke qenë se bëhej fjalë për zyrtarë të Policisë, urdhër-arrestet u dërguan në Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Drejtuesit e këtij institucioni duket se nuk e kishin ndërmend që t’i ekzekutonin shpejt e shpejt. Duke i njohur të 3 personat që duhej të ishin arrestuar, ata nuk kanë lëvizur deri në mbrëmje. Gjatë kësaj kohe, duket se ka pasur rrjedhje të mjaftueshme informacioneve dhe njoftimin e 3 zyrtarëve të lartë. Ata patën kohë që të arratiseshin, të largoheshin për të humbur gjurmët dhe për të mos u gjetur. Ministria e Brendshme konfirmoi se ndaj tyre rëndojnë akuzat e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga kontrolli në banesa dhe ambiente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë.

Tjetër ish-drejtor policie shpallet në kërkim

Një emër tjetër në zinxhirin drejtues të policisë, gjatë kohës kur ministër ishte Saimir Tahiri është shpallur në kërkim nga policia pas lëshimit të urdhër-arrestit nga Prokuroria. Bëhet fjalë për Enkelejd Grekun, ish-drejtor i Postës së Selenicës.
Emri i Enkelejd Grekut u denoncua nga Partia Demokratike një vit më parë. PD deklaroi atëherë se rrjeti komandohej nga drejtori i Policisë së Vlorës, Jaerd Çelaj, përmes shefit të Postës së Selenicës, Enkelejd Greku, kunatit të këtij të fundit që administron skafet në Vlorë, Dhimitraq Janku dhe shefit të krimit të organizuar në Vlorë, Gjergji Kohila.

R.POLISI

Artikulli paraprakOficerët e drogës po fshihen në Shqipëri?
Artikulli tjetërHidhet në erë me tritol dyqani në Fushë-Krujë