Hidhet në erë me tritol dyqani në Fushë-Krujë

Një sasi eksplozivi është vendosur në një dyqan ushqimor në Nikël të Krujës gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Dyqani është në pronësi të shtetasit me iniciale G.M., 57 vjeç. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Burrë e grua i kanë shpëtuar mrekullisht atentatit me tritol. Ata po flinin në dyqanin e tyre ushqimor në zonën e Niklës në Fushë-Krujë. Ata i kanë thënë policisë se kishin shtëpinë në rikonstruksion dhe kishin kaluar disa netë në dyqan.
Bëhet fjalë për shtetasin Gëzim Meta dhe bashkëshorten e tij, të dy 57 vjeç. Autorët duket se kishin dijeni se çifti po kalonte natën në dyqan. Kjo është hera e dytë që i vendoset tritoli dyqanit të Metës në harkun kohor të dy viteve. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen, ndërsa ka marrë në pyetje edhe pronarin e dyqanit për konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur.
Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 23.11.2017, rreth orës 01:05 në fshatin Zezë, Njësia Administrative Nikël i është vendosur një sasi e vogël lënde eksplozive dyqanit ushqimor të shtetasit G. M. 57 vjeç. “Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Artikulli paraprakMinjtë po ikin!
Artikulli tjetërMaskat grabisin pasagjerët dhe i vënë flakën furgonit