-Zoti Basha, thjeshtimi i arkitekturës, është kusht? Siç keni thënë për moskapjen e sistemit?
Ne jemi në procesin e dialogut dhe nuk hyjmë me kushte. Ne hyjmë me një kërkesë. Të jemi të arsyeshëm dhe të zbatojmë standardin europian dhe shpresojmë që edhe pala tjetër të ketë këtë vullnet. Sigurisht, që për disa mund të jetë e dhimbshme, jua thashë. Për Sajmirin mund të jetë e dhimbshme, sepse nga njëra anë i hoqën BKH-në dhe nga ana tjetër i ka rënë dhe valixhja e përgjimit.
-Po nëse mazhoranca nuk pranon?
Po pse të gjitha lajmet sot do t’i jepni. Shpresojmë që do të pranojë njëherë. Pastaj po nuk pranuan do të jemi përsëri këtu. Shpresojmë që t’i pranojnë. Të jemi pozitivë.
-Zoti Basha, keni ndonjë koment për historinë e përgjimeve. Në Kryesinë e Kuvendit ka më shumë se 5 orë debate për sa i përket një historie përgjimesh, opozita këmbëngul që ekziston një mundësi e tillë?
Ne kemi një pozicion të qartë për këtë çështje dhe pozicioni që kemi shpalosur përpara publikut është që ne kërkojmë transparencë. Transparenca është një detyrim kushtetues i ministrit të Brendshëm, i policisë, i organeve të tjera që janë thirrur sot në seancën dëgjimore të komisionit, i kryeministrit si personi me përgjegjësi politike për këtë çështje. Ne jemi investuar për transparencë, ata janë investuar për mjegull. Shikoni vetëm deklaratat e ministrit të Brendshëm gjatë 48 orëve të fundit. Mohoi pajisjen, pohoi pajisjen, me trajnime ose jo, e ka, s’e ka policia, s’mund ta ketë policia. Vetëm në emisionin televiziv të para dy netëve e ka kundërshtuar veten e vet plotë 10 herë, duke rënë ndesh me ligjet e Kushtetutën. E gjitha kjo bëhet për të investuar në mjegull dhe jo në transparencë. Ne kërkojmë transparencë e para. Dhe e dyta ne kërkojmë zbatimin e ligjit. Këta kërkojnë t’i ikin me propagandë zbatimit të ligjit.
Zbatimi i ligjit në rastin konkret do të thotë që Prokuroria të marrë në dorë e të hetojë pa ndikim, në mënyrë të plotë dhe të paanshme skandalin. Qëndrimi im, qëndrimi i Partisë Demokratike është se kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e lartë të policisë pengojnë hetimin e Prokurorisë.
Largimi i Saimir Tahirit dhe i drejtuesve të policisë është parakusht, parakusht për një hetim të plotë, të paanshëm dhe të pandikuar. Kjo nuk është kërkesë me sfond politik. Sigurisht që duam dhe kemi kërkuar largimin e Tahirit për Balilin, për Shullazin, për dhjetëra skandale të tjera.
Në këtë rast dua që ta kuptojnë mirë të gjithë shqiptarët, nuk ka për t’u zbardhur ky skandal, Prokuroria nuk do ta zbardhë dot, sa kohë që personat drejtpërdrejt të implikuar, Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre.
Nëse duam një hetim të pavarur, të paanshëm, të pandikuar, largimi i Saimir Tahirit dhe i drejtuesve të policisë është parakusht. Çdo investim i heshtur apo aktiv i Kryeministrit për të mos larguar ministrin e Brendshëm dhe drejtues të policisë implikon Edi Ramën në këtë skandal.
Një gjë është e sigurt, ashtu sikur ka qenë e sigurt edhe para 40 vitesh, kur teknologjia ishte shumë më e prapambetur, dhe një presidenti amerikan i kushtoi detyrën, skandali do të zbardhet deri në fund dhe personat do të mbajnë përgjegjësi për shkeljen e ligjit.