81 diga hidrocentralesh po ndërtohen aktualisht në Shqipëri, duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme natyrën, florën dhe faunën.
Gazeta britanike “The Guardian”, në një artikull të Arthur Neslen, flet për bumin e ndërtimit të hidrocentraleve në Ballkan, dukuri që po prek shumë zonat e mbrojtura:
Më shumë se një e treta e rreth 2800 digave të planifikuara për t’u ndërtuar në vendet e Ballkanit, janë në zona të mbrojtura, duke kërcënuar lumenjtë dhe biodiversitetin.
Një specie e rrallë, një lloj peshku me emrin “Isoperla vjosae” u zbulua në Lumin Vjosa, këtë vit gjatë një ekspedite prej 25 shkencëtarësh, të cilët gjithashtu gjetën një peshk të paidentifikuar që më parë ishte i panjohur për shkencën.
Ashtu si salmoni i Danubit dhe trofta e Prespës, tashmë këto specie të veçanta mendohet të jenë në rrezik nga ajo që Ulrich Eichelmann, drejtori i organizatës “Mbikëqyrësi i lumenjve” e quan “cunami i digave”.
Raporti i shkencëtarëve e përshkruan Vjosën si një ekosistem unik dhe dinamik për shumë specie ujore që janë zhdukur në të gjithë Evropën. “Shumica e këtyre komuniteteve të besueshme pritet të zhduken si pasojë e digave të projektuara të hidrocentraleve”, thekson raporti.
Megjithatë, Damian Gjiknuri, ministri i Energjisë i Shqipërisë, i tha “Guardian” se, dy “mega-digat” që do të ndërtohen në Vjosë do të lejojnë “kalimin e peshkut nëpërmjet një korsie apo By Pass-i për peshqit”.
“Këto dizajne janë bazuar në praktikat më të mira mjedisore që po zbatohen sot për minimizimin e efekteve të digave të larta në qarkullimin e faunave ujore”, shpegoi ministri.
Ministri Gjiknuri i kundërshtoi gjetjet e raportit, duke thënë se në Shqipëri po ndërtohen vetëm dy diga të mëdha, ndërsa pjesa tjetër funksionon me fuqinë e ujit të lumenjve.
Pavarësisht se këto hidrocentrale prodhojnë më pak se 10 MW energji, e ndaj nuk kanë nevojë për Vlerësime të Ndikimit të Mjedisit, turbinat e shumta të tyre përgjatë rrjedhës së lumit shkakton “dëme të rënda kumulative”.
Ministri Gjiknuri tha se, qeveria shqiptare ishte e angazhuar për shpalljen e një parku kombëtar në pjesën e sipërme të Vjosës, pranë digës 50 metra të lartë të Kalivaçit, që pritet të ndërtohet së shpejti.
Përveç dëmit në natyrë, bumi i digave ka shkaktuar dhe konflikte mes banorëve të zonave dhe ndërtuesve të digave.