Transformimi i Balotelit

Nëse nga hiri i Kombëtares Italiane të Futbollit, duhet të nisë rilindja e saj, nuk mund të injorohet më asnjë emër që ka potencialin për të qenë pjesë e këtij procesi, që pritet t’i japë një frymë të re jete kësaj përfaqësueseje.
I buzëqeshur për rigjetjen e golit, vetvetes dhe festës në fushë si kurrë më parë, shfaqet pikërisht emri kontrovers i Mario Balotellit. Tashmë në moshën 27-vjeçare, sulmuesi Mario Balotelli më në fund duket se ka fituar pjekurinë për të marrë përgjegjësinë e të qenit pjesë e Kombëtares Italiane dhe për të dhënë kontributin e tij në rrugën e re që ajo duhet të marrë.
Në fund të fundit, duket se pikërisht ai e di më mirë se kushdo, se çfarë hapash duhen ndjekur për të arritur sërish suksesin. Vetëm një vit e gjysmë më parë dukej i dorëzuar, por forca e karakterit, vendosmëria dhe modestia e kanë rikthyer në statusin e një bomberi të vërtetë.
Janë faktet që flasin, siç provon edhe 2-golëshi i tij, falë të cilit Nice arriti në fazën e 1/16-ve në Europa League. Një hap i rëndësishëm për një klub provincial, ku Balotelli ka shënuar plot 11 herë në gjithsej 15 takime.
Ndërkohë që për statistika personale, Super Mario ka shënuar edhe një rekord vjetor, me gjithsej 15 gola në 23 ndeshje. Gjithsesi, shifra të tilla nuk arritën ta bindnin ish-teknikun Ventura, ta rimerrte në formacion. Megjithatë, rikthimi në Kombëtare pas më shumë se 3 vjetësh, mbetet një objektiv i rëndësishëm për Balotellin, i cili e quan atë një ëndërr.
Franca ishte vendi që e mirëpriti dhe ku italiani rigjeti vetveten dhe pësoi metamorfozën, për të arritur sërish shkëlqimin, larg tabloidëve dhe presionit konstant.
I përkëdhelur nga tifozët vendas dhe drejtuesit e klubit, ndonëse më pak nga tekniku Lucien Favre, që nuk e humbet rastin për t’i bërë kritika, por gjithmonë për ta stimuluar, Balotelli është kthyer në lojtarin kyç të skuadrës, duke u shfaqur jo më si një djalosh i përkëdhelur, por një burrë i maturuar.
Cilido që do të marrë përgjegjësinë e stolit të kaltër, duhet të dijë gjithashtu të vlerësojë edhe transformimin e Mario Balotellit, pasi me të në organikë, Kombëtarja Italiane mund të rilindë.

Artikulli paraprakBarcelona heq dorë nga blerja e Ozil
Artikulli tjetërBosz i ka orët të numëruara te Dortmundi