Aparatura e përgjimit, që dyshohet se përdoret në mënyrë të paligjshme nga Policia e Shtetit, çon në Prokurori zyrtarë të lartë të uniformave blu.
Pasditen e së martës, prokurorët Anisa Qilimi dhe Gjergj Tako kanë marrë në pyetje për rreth 6 orë 4 drejtues të policisë.
Me cilësinë e personave që kanë dijeni, Prokuroria ka pyetur drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z.Haki Çako, Zv/drejtorin z.Ardian Çipa, shefin e operacionales së Policisë Artion Duka dhe drejtorin teknik të efektivëve blu Edmond Goga.
Sipas akuzës, i pari është pyetur drejtori Çako, i cili ka shpjeguar se pajisja për të cilën ka nisur hetime Prokuroria, është vetëm për identifikimin e numrave të telefonit. Pajisje kjo që sipas tij, është përdorur vetëm për trajnime.
Sa i përket përgjimit, mësohet se Çako ka thënë se ajo pajisje nuk përgjon numra telefoni, por vetëm identifikonte numrat që kanë personat në përdorim.
Ndërsa për vendndodhjen e saj, kryepolici është shprehur se ajo është në pronësi të Interforcës italiane.
Të njëjtin qëndrim, mësohet se ka mbajtur para hetuesve edhe zv/drejtori Ardian Çipa, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike përgjimin e ndonjë numri. Gjatë seancës së marrjes në pyetje, Çipa ka pretenduar se kjo pajisje është përdorur vetëm në trajnimin e agjentëve të policisë, që janë pjesë e sektorit të operacionales. Për këtë fakt, prokurorët kanë marrë në pyetje edhe drejtuesin e njësisë së operacionales, Artion Duka.
Mësohet se Duka ka pranuar se agjentët e tij kanë përdorur këtë pajisje në trajnim, por që shërben për identifikimin e numrave të individëve që janë në ndjeke nga agjentët e operacionales. Ai ka thënë se, kjo pajisje ka qenë në ambientet e drejtorisë së tij, ku oficerët janë trajnuar. Prokurorët gjithashtu, kanë pyetur edhe drejtorin teknik të policisë, i cili ka sqaruar anën teknike të kësaj pajisje, duke mohuar që ajo aparaturë kryen përgjime telefoni.
Sipas akuzës, të 4 personat e pyetur me cilësinë e dëshmitarëve, edhe pse veçmas nga njëri-tjetri, kanë deklaruar se pajisja ndodhet pranë Interforcës italiane dhe jo Policisë së Shtetit.
Për këtë fakt, burimet zyrtare të Prokurorisë i thanë ABC News se i është nisur një shkresë Ambasadës italiane, ku kërkohet identifikimi dhe vënia në dispozicion e programeve dhe pajisjeve që Interforca ndihmon Policinë e Shtetit. Edhe pse kjo shkresë është dërguar që ditën e premte, ende Prokuroria nuk ka një përgjigje.