Pse emri i Grillos të Interforcë del tek droga dhe përgjimet?

Në korrikun e vitit 2015, Michele Grillo, shefi i misionit të Interforcës italiane në Tiranë, udhëtoi bashkë me drejtorin e Policisë Haki Çako e të tjerë me një avion mbi jugun e vendit.
Avioni ishte i pajisur me disa radarë specialë që diktonin mbjelljet me kanabis. Ishte një udhëtim sa për shfaqje, për të dhënë mesazhin se situatën e kemi nën kontroll.
Por nuk vonoi shumë dhe në shtator të 2015 në Itali autoritetet italiane kapën një avion të vogël me 400 kg kanabis në një pistë sportive.
Ngjarja bëri bujë dhe të arrestuarit ishin një qytetar italian dhe një shqiptar.
Reagimi ishte i menjëhershëm dhe droga u dyshua si e ardhur nga Shqipëria. Por në kulmin e presionit mbi një trafik droge me avionë dhe vetëm 2 muaj pas aksionit me radarë, Shefi i Interforcës në Tiranë Michele Grillo, doli në “Top-Channel” dhe deklaroi se avioni nuk ishte ngarkuar në Shqipëri, por kishte bërë lëvizje vetëm brenda Italisë.
Por Grillo u përgënjeshtrua nga Guardia di Finanza dhe Policia e Shtetit italian, e cila në komunikatën zyrtare shkruante se sasia e drogës ishte ngarkuar në Shqipëri dhe komunikata qartësonte se avioni kryente transportin nga Shqipëria drejt Italisë.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha publikoi komunikatën zyrtare të policisë italiane dhe përgënjeshtroi publikisht Grillon.
Ky ishte rasti i parë, kur u pa qartësisht se Shefi i Interforcës Michele Grillo, ishte përfshirë në lojë politike në krahë të ministrit Tahiri, duke deformuar faktet dhe duke mashtruar publikisht për të fshehur implikimin e palës shqiptare në trafikun e drogës.
Ishte interesante se si Grillo kurdisi një spektakël në korrik, gjasme për të identifikuar me radarë parcelat e kanabisit, ndërsa në shtator u implikua në një skenar politiko-mediatik për të fshehur trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë me avionë.
Por emri i Grilos ka dalë së fundmi dhe në skandalin e përgjimeve. Ai është italiani që dyshohet si personi kyç që ka mundësuar pazarin e sigurimit të një aparature të sofistikuar përgjimi, madje dyshohet se ai është dhe personi që ka mundësuar futjen e saj në Shqipëri nëpërmjet logjistikës së Interforcës.
Nuk është e qartë, nëse implikimet e Grillos janë vetjake apo nëse kanë prapavijë shtetërore nga Italia.
Por tashmë janë bërë dy raste ku del emri i tij, rasti i parë me drogën dhe rasti i dytë me aparaturën përgjuese dhe Grilo duket se është italiani i punëve të pista të Saimir Tahirit.

Ambasadori Italian: Çështja nën hetim

Ambasadori Italian në Shqipëri ka reaguar për herë të parë në lidhje me pajisjen e përgjimit që ka ardhur në Shqipëri nga skuadra special e policisë italiane e njohur si Interforca. Diplomati Italian Alberto Cutillo tha se nuk mund të japë detaje në lidhje me një çështje që tashmë është në hetim nga autoritetet. “Nuk mund të komentoj në lidhje me këtë çështje në një kohë që është në zhvillim nga hetimet përkatëse. Aktualisht mund të them që ka vetëm një bashkëpunim maksimal mes Shqipërisë dhe Italisë” u shpreh ai. Prokuroria shqiptare tashmë është në pritje të përgjigjes nga Interforce për pajisjen që sipas Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako ka shpërbyer për trajnim në Akademinë e Policisë dhe jo për përgjime. Organet e hetimit kanë nisur marrjen në pyetje të personave në dijeni për pajisjen e përfolur të përgjimit. Për gati dy orë zv/drejtori i Policisë së Shtetit Ardian Çipa është marrë në pyetje në lidhje me pajisjen e përgjimit.

Artikulli paraprakKokëdhima i mori para Balilit për ta bërë Drejtor
Artikulli tjetërTmerr, tre vajza minorene përdhunohen në jetimore