30 milionë euro shpenzime luksi, 1.3 milionë euro për përmbytjet

Nëse fondet e akorduara për shpenzime luksi, plot 30 milionë euro vetëm për këtë vit do të shkonin në fondin e Emergjencave Civile, i cili për këtë vit është 1.3 milionë euro sot qeveria do të kishte shpallur gjendjen e Emergjencës Civile dhe pasojat e përmbytjeve nuk do të ishin dramatike. Për vitin 2017, Rama ka akorduar në buxhet 30 milionë euro për arredim zyrash dhe shërbime të tjera të luksit vetëm në aparatin e kryeministrit. Kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. 30 milionë euro shpenzime luksi është një fond 30 herë më i lartë se sa fondi që Emergjencat Civile kanë sot për të përmballuar situatën. Në verë, Shqipëria shkrumbohet nga flakët, ndërsa në dimër përmbytet nga rreshjet. Kjo situatë përsëritet çdo vit me pasoja të rënda. Në të dyja rastet neglizhenca e qeverisë dhe autoriteteve përkatëse sjell pasoja katastrofike për qytetarët, duke i lënë ata në mes të rrugëve me banesat e pasuritë e shkatërruara tërësisht. Gjithçka nis nga financimi dhe mbi të gjitha fondi i Emergjencave Civile, arka e të cilit në çdo rast të tillë është bosh. E njëjta situatë ka përfshirë Shqipërinë edhe sot. Kapaciteti i dobët dhe fondet e pakëta bëjnë që përballimi i pasojave nga përmbytjet të jetë i pamundur. Ajo që shpesh thuhet në media, pohohet edhe në raportin e fundit të Bashkimit Evropian, sipas të cilit Shqipëria ka mungesë të menaxhimit të fondeve. Në raport vijohet të vihet në pah se, kapaciteti i institucioneve për menaxhimin e Emergjencave Civile është i ulët. “Kapaciteti institucional dhe bashkëpunimi midis institucioneve të mbikëqyrjes duhet të forcohen për të siguruar veprim të efektshme ndaj situatave të emergjencës”, nënvizohet në raport. Po ajo që është më e rënda është fakti se, Bashkimi Evropian në raportin e vet për Shqipërinë e ka cilësuar sektorin e Emergjencave Civile, si një nga sektorët ku abuzohet më shumë me fondet publike. Në një reagim të saj, deputetja demokrate Jorida Tabaku sjell në vëmendje uljen drastike të fondeve për ujitjen dhe kullimin, dy faktorë të rëndësishëm përsa i përket avancimit të përmbytjeve në rastet e prurjeve të larta të rreshjeve të shiut. “Pamjet e rënda dhe gjendja e sotme na shtyn të mendojmë se çfarë prodhon një buxhet fasadë (që fatkeqësisht uli përsëri shpenzimet për ujitje dhe kullim me 13%). Keqardhje për dëmin e madh ekonomik dhe me shpresën që të mos kemi asnjë tragjedi”, shprehet Tabaku.

Buxheti 1.3 milionë euro për përmbytjet

Nëse dëmet e rreshjeve dhe paaftësia e strukturave shtetërore iu kanë revoltuar, merreni stresin lehtë, Emergjencat Civile janë një institucion formal, në pikë të hallit dhe me buxhet qesharak.
Në 31 tetor të këtij viti, kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi dha alarmin për ndihmë dhe deklaroi se buxheti total për këtë institucion është 1.3 milionë euro.
Prençi bëri thirrje për më shumë buxhet, infrastrukturë dhe burime njerëzore, duke paralajmëruar se në raste emergjencash ky institucion nuk mund të bëjë detyrën me mungesë kapacitetesh.
“Siç e dini, buxheti ynë nuk i kalon 1.3 milionë euro dhe është shumë i vogël dhe për këtë do kërkoja mirëkuptimin dhe angazhimin e të gjithë deputetëve të Komisionit të Sigurisë që programi i Emergjencave Civile tashmë me programin e ri të qeverisë dhe me buxhetin e ri të 2018-ës duhet të vlerësohet sepse është shumë shumë i dobët. Është domosdoshmëri dhe përsa i përket strukturës së EC në nivel qendror dhe vendor, por dhe rritja e kapaciteteve teknike për të reaguar ndaj Emergjencave Civile në të gjitha fazat”, tha Prençi.
1.3 milionë euro është vlera që qeveria jonë i jep Emergjencave Civile për të përballuar situata si kjo e sotmja.
Për ta kuptuar më mirë këtë shifër le të japim disa shembuj krahasues:
-1.3 milionë euro është shuma që qeveria i ka kaluar firmës koncensionare të Check-UP (Vilma Nushi) në vitin 2016, për analiza të pakryera ndonjëherë. Bonus i garantuar nga kontrata abuzive.
-1.3 milionë euro është shifër e barabartë me fondin që qeveria dhe KQZ-ja i ka dhënë 89 partive fantazmë.
–1.3 milionë euro i kushton qeverisë dhe studioja ligjore që ka pajtuar në gjyqin kundër Bechettit.
Por nëse dje ju apo ndonjë i afërm i juaji u bllokua në aksin Tiranë-Durrës, mbase do ishte mirë ta dinit se infrastruktura kulluese e këtij aksi është shkatërruar, sepse qeveria rilindëse vendosi të mbillte ca palma.
Kostoja fillestare e këtyre palmave ishte 600 mijë euro. Tashmë këto palma janë tharë dhe shkulur, ndërsa Bashkia ka vendosur që rrugën ta mbjellë me pisha. Sipas projektit të Bashkisë, mbjellja me pisha do të kushtojë 2.5 milionë euro.
Gati sa dyfishi i buxhetit të Emergjencave.

Hashtag.al

Artikulli paraprakPse nuk do të ketë shpëtim nga përmbytjet
Artikulli tjetërBanorët-Bashës: U përmbytëm nga shkarkimi i Bovillës pa paralajmërim