De Biasi: Në Francë gati për çdo situatë

Gianni De Biasi nuk humbet shansin të flasë për arritjen e Shqipërisë në finalet e Euro 2016. Kjo ka ndodhur edhe në studiot e “Sky Sport”, kur ishte i ftuar në programet për finalen e Europa League. Në pritje të publikojë listën me lojtarët që do të ketë në dispozicion për evenimentin kontinental, trajneri kuqezi zbuloi objektivat. “Objektivi është që të shkojmë në Francë, për të mos qenë turistë. Por, edhe pse jemi në një grup të vështirë, do të kërkojmë të shfaqim në fushë atë që kemi bërë edhe gjatë kualifikueseve. Pra, një skuadër të vëmendshme, që luan e ngjeshur në fushë dhe gati për t’u përballur çdo situate”, u shpreh De Biazi.
Ashtu si Shqipëria, edhe De Biasi është debutues në një turne madhor. Shpërqendrimet nuk ishin të lejueshme. Madje, edhe gjatë javëve kur trajneri u përfol si kandidat për pasardhës të Antonio Contes në stolin e Italisë. “Ndihem tejet i nderuar, së pari, sepse Federata Italiane e ka mbajtur emrin tim në konsideratë. Por, e kam thënë edhe më parë: gjëja më e rëndësishme për mua në këto momente është që të përqendrohem vetëm te Kampionati Europian me Shqipërinë time”, tha trajneri i Kombëtares.
De Biasi komentoi edhe zërat se javën e ardhshme Giampiero Ventura do të zyrtarizohet në stolin e përfaqësueses axurre, për të marrë drejtimin e Italisë deri në përfundim të Botërorit 2018. “Nuk e di, por nëse është zgjedhur do të thotë se është në lartësinë e situatës dhe i uroj Venturas shumë suksese në stolin e Kombëtares italiane”, përfundoi De Biazi.

Artikulli paraprakFlamurtari në vitin zero
Artikulli tjetërRivalë për 90 minuta