Rivalë për 90 minuta

Dy vëllezër. Dy rivalë. Taulant dhe Granit Xhaka janë kthyer në fenomen botëror, për përballjen e 11 qershorit ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës. Në Grupin A të Euro 2016, për herë të parë dy vëllezër do të luajnë si rivalë. Një sfidë që të dy dëshironin ta evitonin, por që tani si Taulanti ashtu edhe Graniti kërkojnë ta fitojnë.
“Natyrisht që të luash kundër vëllait nuk është një ndeshje si të gjithë të tjerat, por këto janë zgjedhjet që ne kemi bërë në jetë. Unë dhe Graniti do të luajmë në dy krahë të ndryshëm të fushës. Ai ka zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën, ndërsa unë për shtëpinë tonë. E theksoj se do të jetë një ndeshje e veçantë për të dy. Do të jetë një duel i fort, por gjithmonë brenda rregullave të lojës”, u shpreh Taulant Xhaka.
Ndërsa Graniti thotë se nuk e dëshironte këtë përballje. “Nuk është hera e parë që flasim për diçka të tillë. Prej hedhjes së shortit, biseduam rreth këtij fakti. Të dy dëshironim që të mos përballeshim në grup. Për të dy do të jetë një ndeshje e veçantë. Gjatë gjithë kohës kur ka qenë fëmijë, Taulanti luante për Zvicrën, por më pas zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë. Edhe unë kam luajtur për Zvicrën gjatë gjithë fëmijërisë dhe vazhdoj ta bëj edhe tani. Kjo është një ndeshje e veçantë edhe për të gjithë familjen tonë, që është shqiptare”, u shpreh Granit Xhaka.
“Graniti vendosi të luajë për Zvicrën dhe kjo është zgjedhja e tij. Sa herë që Zvicra ka ndeshje unë interesohem si ka luajtur skuadra, por edhe vëllai im. Por, kjo nuk do të ndodhë kur të përballemi në grup. Aty dua ta mposht”, tha Taulanti.
“Kemi menduar të vendosim një bast mes nesh, por deri më tani nuk e kemi bërë. Kemi edhe pak kohë për t’u menduar. Fillimisht uroj që të paraqitemi me shëndet të plotë në Kampionatin Europian, më pas të shohim”, tha Graniti.
Taulanti shprehet se është shumë i lumtur që luan për Shqipërinë. “Jam i lumtur për Shqipërinë. Kemi realizuar një arritje të jashtëzakonshme dhe do të bëjmë gjithçka që populli ynë të lumturohet”, tha ai.
Ndërsa, Graniti thotë se është i kënaqur që luan për Zvicrën. “Jam krenar që luaj për Zvicrën, por natyrisht që nuk mund t’i harroj rrënjët e mia. Çdo vit shkoj me pushime në Prishtinë, për të takuar të afërmit që jetojnë atje”, përfundoi Graniti.

Artikulli paraprakDe Biasi: Në Francë gati për çdo situatë
Artikulli tjetërAlban Meha transferohet tek “Al Nasr”