Gjyqtar italian për finalen e Kupës së Shqipërisë

Gjyqtar italian për finalen e Kupës së Shqipërisë. Kërkesa e Kukësit, që ndeshja e 22 majit në “Qemal Stafa” të drejtohet nga një arbitër i huaj është miratuar. Madje, Federata Shqiptare e Futbollit pranoi edhe kushtin e vendosur nga klubi verilindor, që gjyqtari të mos ishte nga shtetet e rajonit, por të arbitronte në kampionatet e Europës Perëndimore.
Emri i bilbilit që do të vendosë drejtësi në finalen e Kupës ndërmjet Kukësit dhe Laçit ende nuk është bërë publik, por për momentin dihet vetëm që ai është nga vendi fqinj. Në orët në vazhdim Shoqata Italiane e Arbitrave do të konfirmojë në zyrat e FSHF-së edhe emrin e arbitrit kryesor dhe dy asistentëve.
Sipas rregullores së lojës në Shqipëri, me kërkesën e bërë dhe pranimin e saj për gjyqtarë të huaj, të gjitha shpenzimet i faturohen klubit të Kukësit. Bëhet fjalë për një kosto financiare në vlerën e 10 mijë eurove. Me Shqipërinë që është rikthyer te moda e gjyqtarëve të huaj për ndeshjet vendimtare, gjyqtarët italianë rikthehen pas 7 vitesh në aktivitetet tona kombëtare.
I fundit ka qenë Gabriele Gava në prill të 2009-ës, në gjysmëfinalen e Kupës Shkumbini-Flamurtari të mbyllur mes dhunës. Më parë, finalja e Kupës në vitin 2006 ndërmjet Vllaznisë dhe Tiranës ishte drejtuar nga Stefano Farina. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në finalen e vitit 2003 ndërmjet Dinamos dhe Tiranës, ku kryesor ishte Alfredo Trentalanxhe, ndërsa në të njëjtin vit, italiani tjetër, Xhanluka Paparesta arbitroi sfidën play-off të kampionatit të 64-rt ndërmjet Lushnjes dhe Apolonisë. Italiani i fundit që ka gjykuar në Shqipëri ishte Nikola Ricoli, që drejtoi ndeshjen e 8 tetorit 2015 ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2016.

Artikulli paraprakAlban Meha transferohet tek “Al Nasr”
Artikulli tjetërSpanja dominim pafund në Europë