Spanja dominim pafund në Europë

Janë përpara të gjithëve, në programim, lojë e gjithçka. Europa e Futbollit nuk mund të bëjë tjetër veçse t’i nënshtrohet hegjemonisë së futbollit spanjoll, argëtues dhe pragmatik, dinamik dhe elegant, por mbi të gjitha fitues. E thotë historia e afërt, në Europë në vitet e fundit skuadrat spanjolle kanë fituar pa fund, duke lënë me gisht në gojë të mëdhatë e tjera të Kontinetit të Vjetër. Champions, Europa League, Superkupa Europe, kudo dominim hispanik, duke lënë të zhgënjyer Guardiolën në Gjermani, Juventusin italian apo dhe skuadrat angleze që nuk ngrejnë lart një trofe të këtyre kompeticioneve prej 4 vitesh. As Klopp nuk ja doli të ndërpriste dinastinë e Unai Emery që mund të krenohet se ka bërë historinë. Sevilla nuk ka fonde pa fund dhe suksesin e ka arritur me vetë financimin vit pas viti. Andaluzët shesin vit pas viti, Rakitic, Bacca apo Aleix Vidal, por qëndrojnë gjithmonë në majat e futbollit europian dhe tani synon të bëjë të njëjtën gjë edhe pas shitjes së Banegas, që do të shkojë te Inter, apo Vitolo e Gameiro që i kërkon gjysma e Europës.
Për të folur pastaj për Championsin, sido që të shkojë në finalen e “San Siros” do të jetë një triumf spanjoll. Ashtu si dhe vitin e kaluar. Prej tre vitesh Reali, Atletiko dhe Barcelona kanë kolonizuar finalen e shumë ëndërruar, duke ndryshuar vendet në pod. Në fillim, Reali me La Deciman, pastaj Barcelona me Luis Enriquen e ndoshta këtë vit mund t’i takojë dhe Diego Simeones me Los Colchoneros. Fakti është që spanjollet luajnë dhe fitojnë, ndërkohë që pjesa tjetër e kontinentit mbetet të shikojë një finale Championsi që i ngjason gjithmonë e më tepër një faksimileje të La Ligas.
Sevilla magjike fiton të tretin trofe rresht të Europa League. Në finalen e Baselit, skuadra e drejtuar nga Unai Emery u mjaftua me pjesën e dytë për t’i dhënë një leksion futbolli ekipit të Jurgen Klopp që u mund me rezultatin 3-1 pas një pjese të dytë ku shkatërroi gjithë të ndërtuar me djersë përgjatë një sezoni. Në “St. Jakob Park” andaluzianët rezultuan skuadra më e fortë në një ndeshje të çuditshme ku dominuan anglezët falë eksperiencës në këtë kompeticion që tashmë e kanë bërë pronë të tyre që prej tre sezonesh.
Shkëndijën e parë të ndeshjes e dha Liverpooli në minutën e 8 me Emre Can që tentoi nga rreth 20 metra por David Soria reagoi me një pritje të saktë. 3 minuta më pas, Clyne dhuron një top për kokën e Sturridge, por Carriço shpëtoi skuadrën andaluziane në linjën e portës. “The Reds” dominues me frenat e lojës në dorë tentuan edhe në të 25-ën sërish me Sturridge që u përball sërish me murin Soria, ndërsa Sevilla u zgjua pak, pasi kaloi gjysmë ore lojë pasi francezi Kevin Gameiro ishte shumë pranë supergolit me një roveshatë që për pak nuk përfundoi në cepin e djathtë të Mignolet. 10 minuta nga fundi i pjesës së parë, Sturridge me të jashtmen ngriti në qiell tifozët e kuq.
Në sekondat e fundit, Milner kishte në këmbët e tij topin e golit të dytë, ndërsa Sturridge nuk përfitoi nga pasimi i Clyne. Pak sekonda nga rikthimi i skuadrave  në fushën e lojës, Kevin Gameiro barazoi shifrat pas një aksioni model.
Ky ishte momenti kur çelësi i Liverpoolit u ul dhe skuadra e Klopp u fik, pasi Sevilla dominoi në çdo aspekt. Kaq mjaftoi që Sevilla të përfitonte nga momenti i dobët i kundërshtarëve, duke shënuar edhe golin e dytë me Coke në minutën e 64. I njëjti autor, i mbajtur në lojë nga prekja e Coutinhos shënoi edhe golin e tretë që vulosi fatin e takimit.
Nokdaun i pakuptueshëm për Liverpoolin që doli i transformuar nga dhomat e zhveshjes, duke humbur busullën e ndeshjes me dy fytyra tërësisht të ndryshme. Skuadra angleze nuk arrin të rikthehet në majën e Europës, pas më shumë se një dekade thatësirë, ndërsa Sevilla siguron trofeun e 5 të kësaj kategorie në po kaq finale të luajtura, duke rezultuar njëkohësisht edhe skuadra më e suksesshme në Europë gjatë 10 viteve të fundit.

Artikulli paraprakGjyqtar italian për finalen e Kupës së Shqipërisë
Artikulli tjetërNeymar te Barcelona deri në vitin 2022?