Irlanda, “viktima” e Brexit

Ekipi i Brexitit i Britanisë së Madhe raportohet se ka rënë dakord që Irlanda e Veriut t’u përmbahet edhe më tej rregullave të BE që e shmangin kufirin e fortë me Republikën. Për tekstin përfundimtar diskutohet më tej. Britania e Madhe me sa duket ka rënë dakord që Irlanda e Veriut të jetë edhe më tej pjesë e tregut të përbashkët të BE dhe e rregullave të bashkimit doganor, që evitojnë një kufi të fortë me Republikën pas Brexitit.
Në projektin e tekstit, të cilin raporton se e ka parë media irlandeze, sipas informacioneve thuhet se, “Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë vazhdimin e harmonizimit me rregullat e tregut të brendshëm dhe të bashkimit doganor, tani ose në të ardhmen, do të mbështesë bashkëpunimin Veri-Jug dhe mbrojtjen e marrëveshjes së të Premtes së Mirë”.
Megjithëse mbetet e paqartë se çfarë do të thotë saktësisht formulimi “harmonizim me rregullat”, besohet se ai ka të bëjë me rregullat e tregut të përbashkët që mbështesin bashkëpunimin midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Qeveria irlandeze e kërkoi një angazhim të tillë. Më herët të hënën, ministri i Evropës i Irlandës, Helen McEntee i tha BBC se, Irlanda do të kundërshtojë çdo propozim që nuk do të garantonte që të mbetet i hapur kufiri midis Irlandës së Veriut dhe Republikës.
Negociatat po vazhdojnë dhe bëhet e ditur se, qeveria britanike i kundërshton disa elementë të tekstit përfundimtar. Kryeministri irlandez Leo Varadkar tha në Twitter se do të bëjë një deklaratë sot, për përparimin e bisedimeve për Brexitin.

Tri çështje të mëdha
Teksti për Irlandën e Veriut është pjesë e dokumentit me titull “Raporti i Përbashkët” i Komisionit Evropian dhe i negociatorëve të Mbretërisë së Bashkuar. Veç çështjes së kufirit irlandez, çështje të tjera për zgjidhje midis BE dhe Britanisë së Madhe janë marrëveshja për detyrimet financiare të Britanisë së Madhe dhe ajo për të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Evropian. Ekipi negociues i BE i ka dhënë kohë deri sot Britanisë për të dëshmuar se është bërë përparim i mjaftueshëm në negociatat për Brexitin, në mënyrë që të avancojnë bisedimet.
Elmar Brok, anëtar i grupit të Parlamentit Evropian që negocion për Brexitin tha se beson se, “ka shanse shumë të mira” për të arritur një marrëveshje. Brok shtoi se është “i habitur” sa kanë avancuar negociatat dhe shtoi se dallimet konsistojnë vetëm “në pak fjalë”. Kryeministrja britanike, Theresa May do të diskutojë sot për ecurinë e negociatave me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Humbësja e madhe
Pas Brexitit kufiri mes BE-së dhe Britanisë së Madhe do të kalojë në kufirin midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Pikërisht në këtë zonë sipërmarrësit irlandezë kanë përfituar deri tani nga mungesa e barrierave dhe nëse vendoset sërish regjimi doganor kjo do të sjellë vështirësi.
Për shembull birra e famshme Guinness prodhohet në Dublin, por shishet dhe kanaçet me birrë nuk mbushin aty, por në Irlandën e Veriut. Dhe kur Irlanda e Veriut si pjesë e Britanisë së Madhe të mos jetë më në BE, kjo do të ketë pasoja të mëdha.
Deri tani nuk ka kufizime dhe kontrolle doganore midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Dublini do që kjo të mbetet kështu, sepse rreth një e pesta e të gjitha eksporteve dhe e shërbimeve irlandeze dhe dy të pestat e të gjitha ushqimeve irlandeze eksportohen në Britaninë e Madhe.
Vërtet që ekonomia irlandeze do të vuajë prej Brexitit thotë James Quinn, që ka një firmë spedicioni. Të gjitha importet dhe eksportet e Irlandës kalojnë përmes Portit të Dublinit për në Britaninë e Madhe dhe nga këtu për në Evropë. Pra në të ardhmen në një zonë jashtë BE-së, pra pas Brexitit rruga për në Evropë do të zgjasë më tepër dhe do të jetë më e shtrenjtë, thotë James Quinn.

Frikë nga falimentimi
Disa qindra sipërmarrje të mesme do të preken fort prej Brexitit. Njëra syresh është Cootehill Engineering. 10 punonjësit e saj prodhojnë pajisje çeliku. Gerry McIntyre e ka ngritur këtë firmë para 5 vjetësh.
Tani ai ka frikë se prej Brexitit mund edhe të falimentojë. “Kjo fllanxhë është derdhur në Angli. Firma jonë e blen dhe e përpunon me makineritë tona. Pra ne importojmë nga Anglia dhe i eksportojmë prodhimet tona në të gjithë botën. 95% e produkteve tona hyjnë përmes kufirit anglez dhe kur eksportojmë duhet të kalojmë përsëri nga ky kufi”, thotë ai me shqetësim.

Brexit i ashpër
Irlandezët nuk i pyeti askush kur u bë referendumi për Brexitin. Por ata do të preken më fort nga të gjithë nga Brexiti si ekonomikisht, politikisht dhe nga pikëpamja njerëzore. Për të ruajtur statusin e deritanishëm të qarkullimit pa dogana, Londra duhet të tregohet e mirësjellshme dhe t’i ofronte Dublinit marrëdhënie tregtare, si në kuadrin e Bashkimit Doganor të BE-së dhe në Tregun e Brendshëm. Por pikërisht këto janë organizmat nga kryeministrja Theresa May dëshiron të largohet, sikurse e kërkon krahu i ashpër pro Brexitit në partinë e saj.

Artikulli paraprak45 milionë dollarë gropa në tatime për dy muaj
Artikulli tjetërGjykata e Lartë amerikane lë në fuqi “ndalimin e udhëtimeve”