Nuk do ketë një Kryeprokuror të mafias, zgjidhet me 3/5 e votave

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi denoncoi dje synimin e Kryeministrit Rama për të kapur Prokurorin e Përgjithshëm, duke u përpjekur për të emëruar në atë post një person tërësisht të politizuar që do t’i garantojë atij mbylljen e dosjeve të nxehta që çojnë njerëzit e tij të afërt pas hekurave bashkë me të. Bylykbashi u shpreh hapur se, Partia Socialiste po kërkon të kapë Prokurorin e Përgjithshëm, mandati i të cilit përfundon pas pak ditësh, duke përfituar nga një boshllëk kushtetues. “Qëllimi është, – tha Bylykbashi, – që nëpërmjet një prokurori të mbyllin të gjitha çështjet që u djegin në këto momente që mund të përfshijnë jo vetëm skandale të karakterit korruptiv, por edhe skandale të karakterit kriminal siç është çështja e Saimir Tahirit. I pyetur nga mediat në lidhje me faktin se Partia Socialiste është e vendosur që të proçedojë pas datës 7 dhjetor për zgjedhjen e një prokurori të ri dhe mbi qëndrimin e Partisë Demokratike, lidhur me këtë çështje, Bylykbashi tha se ajo që mazhoranca po tenton aktualisht është emërimi i kryeprokurorit të ri në rrugë antikushtetuese.
“Ka kohë që Partia Socialiste është e vendosur për të shkelur Kushtetutën. Kushtetuta është mëse e qartë, përcakton rregulla kushtetuese, të cilat nuk mund të shtohen qoftë në një ligj tjetër, i cili mungon, qoftë në veprime mbi baza të rregullores nga mazhoranca. Kushtetuta përcakton Këshillin e Lartë të Prokurorisë si organ që deklaron fundin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Pra, organi kushtetues i parashikuar nga Kushtetuta është Këshilli i Lartë i Prokurorisë, fakti që kanë lënë boshllëk Kushtetutës për këtë çështje është një problem, i cili nuk mund të zgjidhet as me deklarata, as me memo dhe as me ndonjë ligj apo rregullore të Kuvendit, sepse është normë kushtetuese. Sigurisht, zgjidhja është e thjeshtë, të çojnë siç kanë bërë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, të çojnë përfaqësues të Shoqërisë Civile, të cilët i përzgjedhin vetë për të kompletuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Është e qartë që qëllimi është kapja e Prokurorit të Përgjithshëm nëpërmjet shfrytëzimit të këtij boshllëku kushtetues që kanë lënë vetë”, u shpreh deputeti demokrat, Bylykbashi.
I pyetur në lidhje me faktin se Ligji Organik i Prokurorisë, neni 109 thotë se në kushtet kur mungon Këshilli i Lartë i Prokurorëve është Kuvendi, ai që merr në shqyrtim kandidaturat e përkohshme, zëvendësuesi i kryeprokurorit, deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Bylykbashi bëri të ditur se, “Së pari, ligji nuk zëvendëson Kushtetutën, e dyta, rasti që ju i referoheni, mbarimi i parakohshëm i mandatit, kur Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen, vdes, largohet nga detyra, siç ishte rasti i vettingut, ne nuk jemi në këtë rast. Edhe në rastin e ligjit, përcaktohet që merr vendim Kuvendi dhe Kushtetuta është e qartë. Vendimi merret nga Kuvendi me 3/5 e votave. Përfshirë faktin se, asnjë kandidat nuk ka kaluar vettingun dhe kjo është një kërkesë themelore, janë të gjitha përpjekje të mazhorancës që Prokurorin e Përgjithshëm deri me 1 shtator duhej të votohej me 2/3 e Kuvendit, dhe pas datës 1 shtator duhet të jetë me 3/5, mazhoranca kërkoi ta zgjedhë me 36 vota në Parlament, përfshirë edhe votën e Saimir Tahirit. Qëllimi është që nëpërmjet një Prokurori që venë ata të mbyllin të gjitha çështjet, të cilat përfshijnë jo vetëm skandale të karakterit korruptiv, por edhe skandale të karakterit kriminal, siç është rasti i Tahirit”, tha Bylykbashi.
Ndërkohë që kreu i PD, Basha ka bërë të ditur se Partia Demokratike nuk do të lejojë kapjen e Prokurorisë së Përgjithshme nga Rama. I pyetur nga gazetarët pak ditë më parë në lidhje me çështjen e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm, kreu i PD, Basha deklaroi se PD do të përdorë të gjitha format dhe mjetet që të mos lejojë Ramën në emërimin e një kryeprokurori antikushtetues dhe të kapur me qëllim mbylljen e dosjeve që çojnë atë pas hekurave. “Qëndrimet tona kanë qenë dhe janë të qarta: Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama. Ky që ndërrmori këtë sulm të ashpër ndaj prokurorëve vetëm, sepse kërkuan hetimin dhe arrestimin e Saimir Tahirit nuk mund të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm, as deputetët e Partisë Socialiste që e mbrojtën, duke i mbajtur imunitetin nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm. Nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm, miqtë e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit. Një prokuror i Përgjithshëm i emëruar nga këta njerëz do të thotë fund i hetimeve në rastin “Tahiri”, fund i hetimeve në rastin e “Dakos”, do të thotë fund i hetimeve në kupolën kriminale dhe do të thotë fushë e lirë për krimin. Ndaj nuk mund të emërohet nga Edi Rama, Prokurori i Përgjithshëm dhe ne nuk do ta lejojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë këtë. Për më shumë, kjo bie në konflikt total me frymën e Kushtetutës dhe të Reformës në Drejtësi dhe për të kuptuar absurditetin mjafton t’ju kujtoj se edhe vetë Saimiri ka të drejtë të votojë. Pra, i bie që një Prokuror i Përgjithshëm të zgjidhet me votën e Saimir Tahirit dhe ky prokuror është ai që do të nxjerrë para drejtësisë, Saimir Tahirin”, është shprehur Basha.

Artikulli paraprakProkuroria do verifikojë dëmshpërblimet nga përmbytjet e 2015-ës
Artikulli tjetër“Mbretërit e drogës” në Vicenza, shkatërrohet organizata shqiptare e trafikut