Persona të maskuar dhe të armatosur kanë lidhur një biznesmen dhe gruan e tij dhe i kanë dhunuar barbarisht. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të hënës në Korçë, ku personat e maskuar pasi dhunuan çiftin grabitën një shumë të madhe parash. Rreth orës 19:15 Policia e Korçës ka marrë një telefonatë se në fshatin Dvoran, në ambientet e një firme private pijesh kanë shkuar persona të armatosur dhe të maskuar. Sipas policisë, ata kanë lidhur pronarin dhe bashkëshorten e tij dhe më pas kanë vjedhur 50 mijë lekë të reja, 70 euro dhe 150 dollarë.
Më pas autorët janë larguar me shpejtësi në këmbë. Policia ka shkuar në vendngjarje, por nuk ka mundur të arrestojë autorët e krimit. “Nga të dhënat e para dyshohet se këta persona, pasi kanë lidhur pronarin dhe bashkëshorten e tij, kanë vjedhur një sasi lekësh prej 50 mijë lekë të reja, 70 euro dhe 150 dollarë. Më pas, këta persona janë larguar me shpejtësi në këmbë. Në vendngjarje, ndodhen forca të shumta policie. Janë ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur identifikimin e kapjen e autorëve. Nga ana e Policisë po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si edhe dokumentimin e plotë të saj”, thuhet në njoftimin e policisë.