Kërkesa e bizneseve tregtare për kredi në Tiranë ka shënuar një rënie të fortë në tremujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave, në fund të marsit, huaja për tregti në kryeqytet ra me 1.6 miliardë lekë, apo me rreth 2%. Tkurrja e huasë në këtë segment ka dhënë ndikimin kryesor në rënien e kredisë për biznesin në Tiranë, por dhe në gjithë Shqipërinë (huaja totale për Tiranën ra me 1 miliardë lekë dhe ajo për gjithë vendin me 999 milionë lekë).
Kategoritë e tjera të bizneseve, si në Tiranë ashtu dhe në rrethe kanë reduktuar apo rritur lehtë huanë, ndërsa vetëm për tregtinë në kryeqytet është konstatuar kjo rënie e thellë.
Në Tiranë është dhënë gati 80% e stokut total të huasë në vend. Huaja për tregtinë, po në kryeqytet, në fund të marsit 2016 përbënte 25% të totalit të kredisë gjithsej në vend dhe 31% të stokut të dhënë në kryeqytet.
Në kryeqytet ndodhen dhe pjesa më e madhe e bizneseve tregtare që ushtrojnë aktivitet në vend. Së fundmi, kriza e konsumit, e konfirmuar edhe zyrtarisht (sipas INSTAT konsumi privat ra me 0.2% në 2015-n për herë të parë që nga viti 2001) dhe pasiguria nga taksat e larta vendore, që për bizneset e mëdha e të mesme janë rritur me disa herë, duket se e kanë vënë në pritje këtë sektor që është mjaft i rëndësishëm përsa i përket vetëpunësimit.
Rënia e konsumit
Shqipëria dhe Serbia janë dy shtetet ku konsumi privat ka qenë negativ në vitin 2015, përkatësisht me -0.2% dhe -0.6%. Të dhënat bëhen të ditura në tabelat e publikuara nga Komisioni Europian në raportin e tremujorit të parë 2016, për vendet kandidate dhe potenciale kandidate. Të gjitha vendet e tjera i janë “gëzuar” një konsumi privat në rritje, që ka qenë më i lartë në Kosovë me 4.9% dhe në Maqedoni me 3.2%. Edhe Mali i Zi e Bosnja kanë shënuar vlera pozitive, ndonëse në nivele të ulëta.
Serbia ka vuajtur nga një konsum negativ vitet e fundit, madje në 2015-n ritmi i rënies është ngadalësuar.
Ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave më afatgjata nga INSTAT (që u referohet dhe Komisioni Europian) konsumi privat në vitin 2015 ka kaluar në territor negativ për herë të parë që nga viti 2001.
Sipas të dhënave tremujore të INSTAT, në Shqipëri, konsumi ishte në territor negativ në dy tremujorët e parë të vitit, përkatësisht -1.1% dhe -3%, për t’iu kthyer rritjes pozitive në gjysmën e dytë të vitit, përkatësisht me 1.74% dhe 2.42%. Teksa kjo periudhë përkon me fillimin e luftës ndaj informalitetit dhe rritjen e deklarimit të xhiros nga bizneset (kryesisht ato tregtuese të vogla) është e vështirë të bëhet ndarja nëse ky zgjerim konsumi ka qenë real apo fiktiv.
Ndërsa konsumi gjithsej (përfshirë dhe administratën publike) shënoi një rënie prej 0.5% në 2015-n, për herë të parë që nga viti 1998, teksa dhe administrata publike e kishte këtë tregues negativ. Banka e Shqipërisë shpreson që konsumi privat do të jetë një nga faktorët që do të orientojë rritjen në vitin 2016.
Kreditë për individitët
Janë vetëm banorët e Tiranës ata që kanë arritur të marrin një hua në bankë në tre muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë. Nga 1.6 miliardë lekë, që ka qenë shtesa e huasë në tremujorin e parë, në raport me fundin e vitit për gjithë vitin, në Tiranë ajo është rritur me rreth 1.7 miliardë lekë, ndërsa në rrethet e tjera është ulur lehtë.
Pjesa më e madhe e huasë që është dhënë në Tiranë për individët ka qenë për blerjen e pasurive të paluajtshme (72% e totalit). Huaja në kryeqytet është gjallëruar lehtë vetëm në tremujorin e parë të 2016-s, pasi kishte qëndruar konstante apo në rënie të lehtë gjatë gjithë vitit 2015.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se qytetarët e rrethev të tjera i kanë qëndruar larg bankave në muajt e parë të këtj viti, madje dhe kanë ulur ekspozimin e tyre, teksa stoku I kredisë ka rënë në disa qytete si Elbasan, Fier Korçë etj.
Në Tiranë është dhënë 60% e stokut të huasë për individë gjithsej. I dyti është Durrësi, me rreth 8% të totalit.
Në fund të vitit 2011 kredia për individë shënoi rënie të ndjeshme në vend, kryesisht si rrjedhojë e uljes së huave për shtëpi. Ajo u gjallërua sërish në 2014-n për të rënë më pas në vitin 2015 dhe duke njohur rigjallërim në tre muajt e parë të këtij viti.