Dje ka skaduar afati ligjor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të publikuar në faqen e tij zyrtare, formularët e dekriminalizimit. Kryetari i Grupit parlametar demokrat, Edi Paloka denoncoi dje shkeljen e ligjit nga ana e KQZ ndërsa e cilësoi këtë akt si zbatimin e urdhrit të dhënë nga Rama.
“Nëse futeni tani në faqen zyrtare të KQZ, CEC.ORG.AL, do të zbuloni se ky institucion ka shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke mos i publikuar të dhënat, pra formularët e vetëdeklarimit, siç e ka detyrim, sipas vendimit numër 17/2016 të Parlamentit.
Kuvendi i Republikës e ka urdhëruar KQZ që ta bëjë këtë publikim, por KQZ nuk e ka bërë. Shkelja e këtij urdhëri, është shërbimi që pjesa e kapur e këtij institucioni, i bën Edi Ramës dhe interesave kriminale.
Po ashtu, ka skaduar afati ligjor i publikimit të listës së funksionarëve që nuk kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit, të cilët janë rreth 40 këshilltarë bashkiakë të mazhorancës. 40 funksionarë që po fshehin krimet e tyre.
Eshtë e qartë se, këto nuk janë skadenca kohore, por pengesa kriminale për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
Partia Demokratike i kërkon sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zbatojë ligjin, dhe jo paktin me krimin. Të publikojë të dhënat e të mos fshehë krimet e të inkriminuarit.
Dekriminalizimi është një arritje e madhe e vendit dhe e qytetarëve, e vlerësuar nga ndërkombëtarët dhe nga Shtetet e Bashkuara si reformë model, dhe nuk mundet dhe nuk ka për t’u ndalur dot nga Edi Rama dhe lefteritë e tij” u shpreh Paloka.
Aia theksoi se “çdo pengesë, çdo ndalim që i bëhet dekriminalizimit, është një vepër e rëndë penale, dhe ne i sigurojmë ata që e kryejnë këtë vepër penale se do të përgjigjen deri në një para ligjit”.