Messi “dëbon” Mascheranon

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, raportohet se i ka thënë shokut dhe bashkëkombasit të tij, Javier Mascherano që të largohet nga “Nou Camp”, për të rritur shanset e tij që të jetë pjesë e skuadrës së Argjentinës në Kupën e Botës Rusi 2018. Deri më tani, Barcelona ka shijuar një fillim fantastik të sezonit, me skuadrën e drejtuar nga Ernesto Valverde që deri tani kryeson klasifikimin në La Liga. Gjithsesi, një furtunë duket në horizont për skuadrën blaugrana, që do të duhet të bëjnë pa mbrojtësin e tyre, Samuel Umtiti për disa muaj, pasi futbollisti i përfaqësueses franceze u dëmtua gjatë barazimit 2-2 të Barcelonës në ndeshjen ndaj Celta Vigo fundjavën e kaluar. Ndërkohë, klubi katalanas po lufton për të mbajtur veteranin Mascherano, i cili është dëshpërimisht i kërkuar nga klube në MLS dhe në Kinë.
Raportohet se më parë, Messi ka bërë çmos që Mascherano të refuzonte çdo ofertë nga jashtë, të paktën deri në përfundim të sezonit. Por, sipas referimeve të medias spanjolle “Diario Gol”, tashmë argjentinasi po shtyn bashkëkombasin e tij drejt largimit. Sipas të gjitha gjasave Barcelona në këto momente do të mbështetej mbi 33-vjeçarin, në mungesë të Umtiti, me Vermaelen të paqëndrueshëm dhe Pique si mbrojtësin e vetëm titullar të garantuar. Por, gjithashtu Mascherano është i vetëdijshëm se me rikthimin e Umtiti nga dëmtimi, ai do të rikthehej në stolin e rezervave të Valverdes. Veteranit argjentinas i nevojiten minutat me qëllim që të sigurojë një vend në përfaqësuesen bardhekaltër për në Kupën e Botës, që luhet vitin tjetër, ndaj dhe Messi i ka sugjeruar shokut të tij të ngushtë të rrisë shanset e pjesëmarrjes në Rusi.

Artikulli paraprakHiguain: Kalimi te Juve nuk ishte i lehtë
Artikulli tjetërEshtë rrugë e gjatë