Një dokument i zbardhur dje në media demaskon turpshëm Ramën dhe përpjekjet e tij për zgjedhjen antikushtetuese të kreut të ri të organit të akuzës përmes një procedure antikushtetuese.
Dokumenti dëshmon se si Rama vë në lëvizje dy misionet OPDAT dhe EURALIUS për të reaguar në favor të synimit të tij në lidhje me procedurën antikushrtetuese në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.
Zhvillimet dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve, mazhoranca i parapriu me një opinion të dy misionet e këshillimit EURALIUS dhe OPDAT, se si duhet të zgjidhet Kryeprokurori i ri. Se kush e kishte kërkuar këtë opinion deri më sot ishte enigmë. Por dokumenti i siguruar nga mediat, dëshmon se këto dy misione u vunë në lëvizje nga Ulsi Manja, kreu i Komisionit parlamentar të Ligjeve. Më 21 nëntor, për herë të parë u bë publike në media një dokument përmes të cilit dy misionet e këshillimit, EURALIUS dhe OPDAT, shprehnin mendimin e tyre se si duhet të veprohet me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Republikës.
Deri më sot, ky dokument ishte i rrethuar nga misteri se kush i vuri në lëvizje këto dy misione këshillimi, pasi përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve distancoheshin nga të qenurit porositës të këtij dokumenti. Mediat publikuan dje këtë dokument, i cili zbulon se kush i ka kërkuar EURALIUS dhe OPDAT interpretimin e kësaj çështje. Dokumenti ka mbërritur në zyrën e Ulsi Manjës më 13 nëntor 2017. Nga përmbajtja e tij del qartë se është pikërisht Ulsi Manja, ai që e ka kërkuar këtë opinion nga EURALIUS dhe OPDAT.
“Pas kërkesës së Komisionit parlamentar të Çështjeve Ligjore, për të pasur qëndrimin e EURALIUS dhe OPDAT në zgjedhjen e prokurorit, i cili do të mbajë rolin e Prokurorit të Përgjithshëm gjatë periudhës tranzitore, ju lutem gjeni bashkëlidhur opinionin e përbashkët EURALIUS të OPDAT, i cili paraqet qëndrimin e këtyre misioneve”, thuhet në faqen e parë shoqëruese të këtij opinioni që mban firmat e dy shefave të misionit.
Përfaqësues të opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve, thanë se ata nuk kishin dijeni për këtë opinion deri në momenti kur doli në media. Pra, është qartësisht e dukshme se mazhoranca ka nisur investimin e saj në çështjen e Kryeprokurorit të Republikës shumë kohë më parë nga data 7 dhjetor 2017, datë kur mbaron mandati i kryeprokurorit Adriatik Llalla. Dhe këtë mazhoranca ia ka besuar Ulsi Manjës kreut të Komisionit të Ligjeve, i cili kontaktuar nga gazetarët për këtë opinion ka mohuar në mënyrë konstante të kishte dijeni apo edhe ta kishte kërkuar.