Përgjimet, Berisha i bën apel Parlamentit italian për hetime

Ish-Kryeministri Berisha i bëri dje thirrje Parlamentit italian dhe Ministrisë së Brendshme italiane që në mënyrë zyrtare të hetojnë skandalin e përgjimeve në Shqipëri pas përfshirjes në të të zyrtarëve të Interforcë. Berisha i bëri këto komente menjëherë pasi Interforca italiane lëshoi një deklaratë ku pranohet ekzistenca e kësaj pajisjeje që kishte hyrë në Shqipëri. Ai tha se ky skandal ka shkelur ligjet e këtij vendi dhe do të mbahet një qëndrim në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Tani unë, meqë Interforca italiane ka pranuar ekzistencën e pajisjes, i bëj thirrje Parlamentit italian, i bëj thirrje Ministrisë së Brendshme italiane, i kërkoj zyrtarisht autoriteteve italiane të hetojë në mënyrë të gjithanshme këtë aferë strik korruptive, aferë që ka shkelur ligjet, Kushtetutën e këtij vendi dhe të mbajë qëndrimin që i takon të mbajë në respekt të marrëveshjes ndërkombëtare, të mbajë qëndrimin që i takon të mbajë, në respekt të neutralitetit të detyruar të tyre ndaj palëve politike në Shqipëri. Nuk mundet kurrë të regjistrohet opozita as dhe Presidenti i Republikës me një pajisje që vjen zyrtarisht nga shteti italian.
Ne kemi të dhëna për mënyrën e ardhjes së pajisjes dhe për implikim të personave të tjerë në pajisje. Ne do i bëjmë të ditura ato në kohën dhe momentin e duhur autoriteteve të interesuar. Çështja duhet të zbardhet. Si një njeri që kam promovuar dhe kam bërë përpjekjet maksimale për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në luftën kundër krimit thirrja ime është miqësore, por është e domosdoshme që të bëhet një transparencë e plotë. Ne do të japim kontributin tonë. Akt banditesk të regjistrosh Presidentin e Republikës, të regjistrosh kundërshtarët politikë”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se skandali i përgjimeve është i përmasave të jashtëzakonshme. “Skandali është i përmasave të jashtëzakonshme dhe ju keni bërë veprime shumë të rënda, si me regjistrimet që i ke bërë Presidentit të Republikës, kreut të opozitës, pastaj të tjerëve majtas e djathtas si ta ka thënë mendja jote e sëmurë. Por veprimet më të ulëta, më antiligjore e më antikushtetuese që ke kryer ti gjatë tri ditëve të fundit duke bërë gjithçka për të zhdukur gjurmët. Të këshilloj, dorëzo pajisjet dhe mos krijo sherre të panevojshme, sepse ke kryer një vepër shumë të rëndë, të stilit mafioz të një neobllokmeni që ndan psikologjinë e etërve të tij. Dorëzo pajisjet.
Pajisje të tilla kanë hyrë në Shqipëri gjatë qeverisjes së Nanos, gjatë qeverisjes së Berishës dhe do të hyjnë në Shqipëri, por ka rregull e kod të caktuar se si hyjnë. I ka përdorur qeveria e Nanos, i ka përdorur dhe qeveria ime, do i përdorë qeveria juaj, do i përdorë qeveria që vjen mbrapa, por përdoren vetëm e vetëm me autorizim e me leje të prokurorit të Përgjithshëm dhe vetëm e me destinacion Shullazin, por jo Presidentin e Republikës, kurrën e kurrës, jo kundërshtarët politikë, se as në atë kohë s’i ka përdorur Fatos Nano, s’i ka përdorur kurrë Sali Berisha. Po kjo polici i ka përdorur, sipas rregullit, tek një ose disa banditë për t’i gjetur ku janë, për t’i identifikuar ku janë fshehur e për t’i kapur në strofullën ku ndodheshin. Kjo është një gjë shumë e rëndë dhe mos mendoni se do të kalohet kështu.
E përgëzoj Komisionin e Sigurisë, dënoj aktin arrogant e të pacipë të ministrit që me diskonsideratë u ngrit dhe iku, por vlerësoj faktin që deputetët me pyetjet, me qëndrimet e tyre bënë atë që kishin në dorë për t’i bërë transparencë shqiptarëve për këtë skandal. Ju garantoj se kjo nuk mbyllet kollaj”, u shpreh Berisha në Parlament.

Berisha paralajmëron zbardhjen e një skandali madhor

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi dje se pas të gjithë këtyre skandaleve një tjetër skandal i përmasave madhore pritet që të bëhet publik gjatë ditëve të ardhshme. Berisha nuk dha detaje në lidhje me këtë skandal, por u shpreh se ai ka ndodhur në zyrat qendrore të qeverisë në Tiranë. “Ju garantoj unë, s’po komentoj fare rastin, por prisni skandalin tjetër shumë herë më madhor, jo në periferi, por në zyrat më qendrore në Tiranë”, u shpreh Berisha.

Artikulli paraprakTrafikanti i drogës së Kavajës Roshi kërcënon deputetin Blushi
Artikulli tjetërSadri Abazi, leje për pallat 31 kate