Pas humbjes 1-0 në transfertën e West Ham, Chelsea është rikthyer të fitojë në kampionat. 3-1 ka përfunduar sfida me Huddersfield Town në javën e 17-të të Premier League-s. I kënaqur trajneri Antonio Conte me performancën e të tijve, por në veçanti me Tiémoué Bakayoko, autori i golit të parë të Bluve.
“Ai bëri një ndeshje të mirë këtë mbrëmje dhe jam shumë i kënaqur për të, jemi duke folur për një lojtar 23 vjeç. Bakayoko përshtatet me idenë tonë të futbollit, dhe ndoshta këtë mbrëmje kam parë performancën e tij më të mirë”, u shpreh italiani.
Në detaje, ish-lojtari i Monaco-s duket se iu përgjigj pritshmërive të ish-trajnerit të Juventus-it, që shquhet për kërkesa të larta dhe një metodë pune shumë strikte. “Kam filluar të dalloj dhe të kërkoj atë që më duhet: për të gjetur pasimet e duhura mes linjave, ndryshimet në anësore, dhe gjithashtu të jem solid dhe i përqendruar gjatë gjithë ndeshjes”, u shpreh ndërkombëtari francez i cili mbërriti te Chelsea nga Monaco në verën e 2017-ës për 45 milionë euro plus bonuse.