Prokurimet publike, turpi i kësaj qeverie!

Jorida TABAKU

A e dini se nga 33.618 procedura prokurimi 9613 procedura ose 28,5% të procedurave janë procedura me negocim pa shpallje? Kush mban përgjegjësi për këtë që 1 në 3 tendera janë pa garë, e ato që janë me garë i janë me garë totalisht fiktive? Unë sot e pashë se kush ishte përfshirë në këtë proces, e pashë se çdo vendim merrej nga individë që nuk kanë asnjë meritë tjetër përveç lidhjeve politikë e asnjë ditë pune tjetër në asnjë institucion përveç atyre në Komisionin e Prokurimit Publik.
Sot Komisioni i Ekonomisë pati një dëgjesë me kandidatët për Komisionerë dhe Kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik. Ligji i Prokurimit Publik ndryshoi për t’u përshtatur me BE dhe një nga kërkesat kryesore ishte rritja e pavarësisë së Komisionit të Prokurimit Publik, duke i dhënë rol Parlamentit në përzgjedhjen e kandidatëve. I gjithë procesi që u zhvillua përveçse është një farsë, por tregoi dhe fytyrën e vërtetë të Komiisonit të Prokurimeve Publike:
– Nga 10 kandidatë që konkuruan, 5 ishin kryetar/zëvendës kryetar dhe anëtarë aktualë të Komisioni të Prokurimit Publik, duke e bërë totalisht të pavlefshme kërkesën për pavarësi të këtij institucioni.
– Cilësia e kandidatëve linte për të dëshiruar, kur kryetar/zëvendës kryetar dhe anëtarë aktualë të komisionit nuk njihnin ligjin, procedurat, rregulloren nuk mbanin përgjegjësi për vendimet, nuk i kujtoheshin asgjë nga vendimmarrja e tyre në detyrë.
– Vendimet e Komisioni të Prokurimit Publik janë të gjitha të njëjta me ato të enteve prokuruese. Siç pohoi një nga kandidatët në 99 për qind të rasteve nuk ndryshohet vendimi pavarësisht ankimimit.
– Në disa vendime, të cilat u cituan nga opozita brenda të njëjtit vendim kishte dy qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje.
– Vendimet ishin qartësisht klienteliste dhe zv/kryetarit në detyrë nuk i kujtohej se pse kishin ndërruar vendimin psh për Koncesionin e Rrugës së “Kombit” ku u përzgjodh garuesi i dytë me ofertë më të pavaforshme ekonomike.
I gjithë procesi sot ishte një farsë, pak a shumë i njëjtë me procesin e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm (PPP), ose si çdo proces tjetër që zhvillon kjo qeveri.
Lufta ndaj korrupsionit është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Për të luftuar korrupsionin duhet vullnet politik që fatkeqësisht mungon. Këto na largojnë nga BE, vendimet, veprimet e vullneti i kësaj qeverie!

Artikulli paraprakKorrupsion, vjedhje dhe paaftësi në Komisionin e Prokurimeve
Artikulli tjetërNishani: Mazhoranca po injoron Kushtetutën