Njëzetepesë vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ekziston frika se Moska dhe Uashingtoni janë në kulmin e një gare të re të armatimit bërthamor dhe konvencional.
Në muajt e fundit, Rusia ka dërguar sinjale për armatimin e saj, duke hedhur raketa të reja nga Deti Kaspik në caqet në Siri, duke vendosur raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi Iskander në enklavën e saj Kaliningrad dhe duke i vënë në operim nëndeteset e reja raketore-balistike.
Shtetet e Bahkuara, ndërkohë, kanë rritur operacionet e tyre ushtarake në Evropën Lindore dhe ujërat përreth. Pentagoni po katërfishon shpenzimet për mbrojtjen në Evropë.
Anijet dhe avionët amerikanë po kryejnë patrullime më të shpeshta të vëzhgimit pranë kufijve rusë. Një brigadë e re luftarake e ushtrisë amerikane pritet të vendoset në Evropë. Dhe, sistemi i mbrojtjes raketore është funksionalizuar në Rumani më 12 maj, duke shkaktuar zemërim te Presidenti rus, Vladimir Putin.
“Gara me armë, në disa forma, nuk ka përfunduar. Intensiteti i saj është ngadalësuar, por të dyja vendet kanë vazhduar të modernizojnë forcat bërthamore. SHBA është mjaft e ngazëllyer me mbrojtjen raketore në Evropë dhe rusët ndjehen të obliguar t’i përgjigjen”, thotë Jeffrey Lewis, ekspert për mospërhapjen bërthamore në Institutin e Monterejt për Studime Ndërkombëtare.
Sa i përket arsenalit bërthamor, kokat strategjike bërthamore kanë qenë në rënie edhe në SHBA, edhe në Rusi, falë marrëveshjes START të vitit 2010. Por, të dyja vendet janë duke modernizuar pjesë të tjera të arsenalit të tyre. SHBA, për shembull, është duke ndërtuar gjeneratën e pestë të avionit luftarak.
Dhe tani, në kohën kur Putin po shfaq fuqinë dhe ndikimin në Ukrainë dhe Siri, ekspertët e kontrollit të armëve thonë se shanset për një marrëveshje të re për reduktim të arsenalit janë të vogla ose fare.
Rrezik më i madh mund të jetë braktisja e marrëveshjeve ekzistuese, të tilla si Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, i vitit 1987. SHBA dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.
“Derisa nuk arrihet një marrëveshje e re për reduktim të armëve, në të ardhmen e afërt, tkurrja e arsenalit strategjik bërthamor të Rusisë, që ka karakterizuar dy dekadat e kaluara, duket se do të marrë fund”, kanë shkruar studiuesit e armëve Hans Kristensen dhe Robert Norris në një artikull të publikuar këtë muaj në Buletinin e Shkencëtarëve Atomikë.
Vitin e kaluar, televizioni rus ka transmetuar planet për një dron nënujor bërthamor, që do të mund të qëllonte një zonë bregdetare me mbetje radio-aktive, duke bërë të pabanueshme rajone të mëdha për dekada të tëra.
Tash për tash, ekzistojnë disa politika që frenojnë intensitetin e garës me armë, por, më shumë se çdo gjë tjetër, palët mund të kufizohen nga problemet financiare.
Shpenzimet në mbrojtje janë rritur nën Putinin, sidomos që nga viti 2007. Në vitin 2015, ato kanë kapur vlerën e 4.3% të bruto prodhimit të brendshëm. Megjithatë, qysh atëherë, ekonomia e Rusisë është dobësuar për shkak të çmimeve në rënie të naftës dhe sanksioneve të Perëndimit që lidhen me ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë.
Arsenali strategjik i SHBA-së, në anën tjetër, është duke kaluar nëpër një modernizim masiv, që Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka thënë se do të kushtojë 350 miliardë dollarë. Analistët kanë thënë se kjo shifër paraqet një sfidë të madhe për ta përballuar.