Rashica shpreson të luaj në Euro 2016

Faqja zyrtare e klubit të Vitesses në Youtube i kushton një hapësirë të madhe sulmuesit të Kombëtares, Milot Rashica, i cili konfirmoi talentin e tij brenda një sezoni të vetëm, duke u bërë simboli i skuadrës holandeze. Gola, asiste dhe shpërthimet e vazhdueshme nga krahu e kanë bërë Rashicën një prej talenteve më të kërkuar ët Europës. Vetë 19-vjeçari rrëfen momentet magjike të këtij sezoni.
“Është një moment fantastik. Erdha në provë këtu te Vitesse, ku u stërvita 2-3 javë me skuadrën e dytë ku luajta disa miqësore dhe më pas u bashkova me skuadrën e parë, ku u stërvita për dy javë dhe më pas nënshkrova kontratën”.
I pyetur nëse e priste ecurinë fantastike gjatë këtij sezoni, Rashica përgjigjet: “Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk e prisja se do të zhvilloja një sezon të tillë. Mendoja se pas 1 apo 2 vitesh në ekipin e dytë më pas do të luaja disa minuta në ekipin e parë, por as unë vetë nuk e prisja që gjithçka të konkretizohej brenda një periudhe kaq të shkurtër”.
Rashica cilësohet një lojtar oportunist që jep shumë për ekipin, por pavarësisht sezonit fantastik, ai veçon një ndeshje dhe golin që do ta mbajë mend gjatë.
“Ndeshja më e mirë për mua ka qenë ajo e debutimit kundër Sauthampton në Europa League. Goli më i bukur besoj se ka qenë ai i shënuar ndaj Heracles në transfertë ku barazuam 1-1”.
Që prej një viti, talenti shqiptar jeton në qytezën e Arnheim ku ai është përshtatur menjëherë me realitetin e ri.
“Arnheim është një qytet shumë i mirë edhe pse jo i madh. Nëse ke nevojë për diçka e gjen shumë shpejt, sepse çdo gjë është shumë pranë. Është pak më i madh se qyteti i Vushtrisë”.
Pas çdo goli, Rashica nuk ngurron të festojë me shqiponjën e flamurit kuqezi. Ai shpjegon për gazetarin holandez arsyen se përse ka zgjedhur të festojë në këtë mënyrë.
“Festoj duke bërë shqiponjën, sepse është simboli i vendit tim. Kur erdha këtu askush nuk më njihte dhe dëshiroja t’u tregoja se nga vija”.
Edhe pse debutimin me Kombëtaren Shqiptare e ka bërë, Rashica nuk është ende i sigurt për një thirrje nga De Biasi në Euro 2016, por sulmuesi i lindur në Kosovë, ashtu si në fushën e lojës, tregohet altruist.
“Shpresoj që të shkoj në Francë, por nuk e di nëse do të ndodhë. Edhe nëse nuk grumbullohem, shpresoj që Shqipëria të luajë një futboll të mirë dhe të japë më të mirën. Në futboll, asnjëherë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Jemi në një grup të vështirë me Rumaninë, Zvicrën dhe Francën, por ne kemi një skuadër të mirë dhe mund t’ia dalim mbanë”.
Në fund, Rashica flet edhe për të ardhmen, duke lënë të kuptohet se aventura e tij do të vazhdojë në Holandë.
“Po shikojmë përpara për sezonin e ardhshëm. Jemi një skuadër e mirë. Nëse shkoj në Francë do të rikthehem në korrik për të nisur stërvitjen dhe për të zhvilluar një tjetër sezon pozitiv”.

Artikulli paraprakÇmenduria e Beogradit
Artikulli tjetërMilioneri Gashi, i 14-ti më i paguar në MLS