Kërcënon Portaluppi

Pasi ka hipotekuar Kupën Libertadores, tashmë ai pret Real Madrid në finalen e Botërorit për klube. Renato Portaluppi është i pangopur dhe Gremio i tij synon surprizën për të hipur mbi fronin e botës së futbollit. Është i karikuar, madje shumë. Beson në vetvete, mbase edhe me tepricë. Mjafton të lexosh fjalët e tij në konferencë: “Si futbollist isha më i fortë se Cristiano Ronaldo, do të doja ta shihja të luante në skuadrat ku kam luajtur unë”. Në deklaratën e tij, një vend të veçantë kishte edhe Giuseppe Giannini, ish-shok i skuadrës te Roma e sezonit 1988/’89. Trajneri aktual i Gremio e akuzoi ‘Principe’ se e ka shkatërruar në eksperiencën e tij me verdhekuqtë. Një akuzë që nuk mund të mos pasohej nga replika e protagonistit, Giannini, që foli për ‘Centro Suono Sport’.
“Me Renaton nuk kam patur kurrë probleme. Mes nesh ka patur vetëm një debat gjatë një derbi. Shënoi Di Canio dhe unë i thashë Portaluppi-t se duhej të ishte tërhequr në fazë mbrojtëse. Ai m’u përgjigj se ishte një sulmues dhe se nuk ishte detyra e tij të mbështeste mbrojtjen. Unë nuk dua të ndërhyj, por ndonjëherë nuk ishte i kthellët. Kam veshur fanellën e Romës për 16 vite, por në të gjithë karrierën time kam parë vetëm atë që të mbërrinte i dehur në seancën stërvitore të mëngjesit. Kur ndodhte, Liedholm e mbronte dhe e largonte. Besoj se është e ekzagjeruar nga ana e tij që të hedhë baltë mbi të tjerët. Unë te Roma si kapiten kam qenë gjithmonë mes atyre që e mbronin”, deklaroi Giuseppe Giannini.
Real Madrid ka rrezikuar jashtë mase kualifikimin për në finalen e Kupës së Botës për Klube teksa i është dashur të përmbysë rezultatin në pjesën e dytë me Ronaldo dhe Bale. Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh, por në pjesën e dytë me shumë mundime Los Blancos arritën të përmbysnin. Ronaldo është kthyer golashënuesin më të mirë të këtij kompeticoni me 6 gola, duke parakaluar Messi-n, Suarez dhe Delgado.
U duk që në minutat e para se në fushë do të kishte vetëm një ekip, dhe ai do të ishte Real Madrid. Los Blancos dominojnë ndeshjen dhe vetëm në 12 minutat e para krijojnë gjashtë mundësi të pastra për të shënuar me Ronaldo, Benzema dhe Modriç, por pa sukses. E pamundur se si Real vazhdon të shpërdorojë raste që normalisht do t’i kishte të sigurta në La Liga apo në Champions League.
Al Jazera ka topin në zotërim vetëm pas rivënieve dhe kur dilte në ndonjë kundërsulm të rrallë e pa pretendime. Në minutën e 31’ u duk sikur më në fund Real zhbllokoi rezultatin, por VAR e anuloi për pozicion jashtë loje. Pak minuta më pas, disa minuta përpara se të përfundonte pjesa e parë, vjen befasia: Romarinho (nuk ka lidhje me Romario-n) arrin të shfrytëzojë një nga kundërsulmet e ekipit të tij, duke shënuar golin e avantazhit.
Pas pushimit, Real nervozohet akoma më shumë dhe e shpëton VAR nga goli i dytë i Al Jazera-s. Ishte një episod që me sa duket zgjoi spanjollët, të cilët barazojnë rezultatin pak më pas me të përhershmin Ronaldo. Duhet të dilte nga loja Benzema, i cili vetëm shtyllën dinte të godiste në gjithë ato raste të krijuara, dhe të futej Gareth Bale që Real të kalonte për të parën herë në avantazh. Një ndeshje makthi, por me një fund të lumtur për Real që shkon në finale.

Artikulli paraprakRonaldo do Silvan te Reali: “Eshtë më i mirë se Icardi”
Artikulli tjetër“Do të isha me pushime në Brazil”!