Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të paraqitet sërish të premten në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’iu komunikuar masa shtrënguese që ka marrë ndaj tij Gjykata, për bllokimin e pasaportës dhe mos lejimin e tij të largohet nga Shqiperia. Seanca do të mbahet në orën 9:30 në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga gjyqtarja Liljana Baku, e cila është edhe gjyqtarja që ka shqyrtuar masën e sigurisë.
Kërkesa për thirrjen e Tahirit është bërë në bazë të nenit 248 të Kodit të Proçedurës Penale, ku Gjykata brenda pesë ditësh thërret personin ndaj të cilit është dhënë masa për t’ia komunikuar. Ndërkohë ish-ministri do të shoqërohet edhe nga avokatët e tij mbrojtës, të cilët do të dorëzojnë edhe nje kërkesë për ndryshim të kësaj mase sigurie.
Burime nga Krimet e Rënda konfirmojnë se, në këtë seancë përballë gjyqtares Baku, ish-ministri Tahiri do të duhet të përgjigjet për të gjitha çështjet që kanë dalë nga përgjimet e Habiljave dhe të dhënat e tjera të siguruara nga Prokuroria e Kimeve të Rënda. Kështu Tahiri do të pyetet për lëvizjet me automjetin tip “Audi” AA 003 GB, nëse i ka njohur Habilajt, kur i ka takuar, apo akuzat se Tahiri ka përfituar dhurata nga Habilajt. Po ashtu, ish-ministri do të pyetet edhe për njohjet me Orest Sotën dhe 863 mijë eurot e gjetura në makinën e Sotës në Elbasan.
Vendimi i Gjykatës që i ndaloi Tahirit daljen jashtë shtetit, jep në mënyrë kronologjike rrjedhën e hetimit të kësaj çështje, që nisi në Shqipëri ndaj Habilajve, me veçimin e dosjes për Treblovën. Në dosjen e Treblovës përmenden për herë të parë lidhjet e policisë me narkotrafikun.
Ndërkohë, gjithmonë sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që i ndalon Saimir Tahirit daljen jashtë vendit. Prokuroria përmend në kërkesën e saj përgjimet e bëra publike tashmë, ku të akuzuarit lakojnë emrin e ish-ministrit për t’i blerë një byzylyk me diamante. Prokuroria thotë se, Saimir Tahiri i njeh Habilajt dhe si argument sjell daljet jashtë shtetit të tij me automjetin “Audi” që ndërkohë i ishte shitur Moisi Habilajt. Emri i Saimir Tahirit për herë të parë doli nga dosja e Habilajve e Prokurorisë së Katanias.
Gjithashtu, ish-ministri Tahiri do të thirret nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të dhënë dëshminë e tij zyrtare përpara prokurorëve. Sipas burimeve, Tahiri do të pyetet për lidhjet e tij me Habilajt dhe trafikun e drogës, përgjimet, por edhe çështjen “Sota”. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, nga analizimi i provave dhe fakteve, rezulton se Saimir Tahiri në kohën kur ushtronte funksionin e ministrit të Brendshëm, ka përkrahur Moisi Habilajn dhe bashkëpunëtorët e këtij të fundit, në aktivitetin e kundraligjshëm të trafikimit të narkotikëve.
Gjithashtu Prokuroria thekson se ish-ministri Tahiri ka përfituar sende më vlerë si shpërblim për mbështetjen e ofruar. Dyshimet për përfshirjen e Tahirit në grupin kriminal Habilaj, nisën që prej kohës kur ish-ministri i shiti kushëririt të tij Artan Habilajt makinën tip “Audi” AA 003 GB, të cilin e përdori më vonë për të udhëtuar jashtë vendit.
Do të jetë hera e parë, që vetë Tahiri do të përballet me prokurorët e Krimeve të Rënda, pas asaj që ndodhi në Komisionin e Mandateve dhe Imunitetit.
Dosja “Treblova”, lidhjet e 4 trafikantëve me Habilajt
Gjykata për Krime të Rënda vendosi të marrë në shqyrtim me gjykim të shkurtuar dosjen kundër katër të pandehurve të çështjes “Treblova”, për të cilët Prokuroria dyshon se kanë lidhje me grupin e Habilajve. Të akuzuarit për kultivim të kanabisit në kuadër të grupit të strukuruar kriminal janë Taulant Haxhiraj, Shkëlqim Koçiaj, Xhovalin Baço dhe Marjus Bajrami.
Prokuroria ishte dakord me kërkesën për gjykim të shkurtuar të të pandehurve. Për të kërkuarin tjetër të grupit Rexhat Radhima, Gjykata vendosi të pezullojë gjykimin për një vit, për shkak se ndryshimet në ligj përcaktojnë se nuk mund të zhvillohet një proces gjyqësor ndaj dikujt që nuk është njoftuar paraprakisht.
Për shkak se në një seancë paraprake në mbyllje të hetimeve dosja është kthyer pas për 3 të dyshuar të tjerë, mes tyre edhe për efektivin e Policisë, Renato Avdyli, Gjykata kërkoi që të sqarohej pozita e këtyre të dyshuarve. Prokurori u shpreh se ndaj Avdylit dhe dy të tjerëve po vijojnë hetimet nga Krimet e Rënda, pasi ata shikohen si bashkëpunëtorë në grup.
Dosja “Treblova” ka lidhje me një operacion antidrogë në vitin 2016, gjatë të cilit u asgjësuan 18 parcela me kanabis në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë, një aksion ky që asokohe hapi debat për sasinë e sekuestruar. Por, siç tha prokurori në seancë, referuar përgjimeve rezulton se për të realizuar mbarëvajtjen e kultivimit të hashashit, grupi i kultivuesve ishte lidhur me zyrtarë policie, nga të cilët kishte marrë garanci.
Të dhënat tregojnë se oficeri Avdyli ndaj të cilit ka një masë sigurie në mungesë ka lidhje familjare me Gjergj Kohilën, ish-shefi Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Vlorës, ndaj të cilit është vendosur gjithashtu masa e arrestit në mungesë së bashku me dy zyrtarë të tjerë policie, edhe ata në kërkim. Prokuroria dyshon gjithashtu se grupi “Treblova” ka lidhje me Habilajt, për të cilët dosja u veçua në vjeshtë dhe vijon të hetohet.