Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij Parlamenti. Një deputeti i jepet fjala, një kryehorr, një pispisi, një fundërrinë që do sot të bëhet kryeprokuror, fut Gardën në një akt të pashembullt për të ndërprerë të drejtën e fjalës, të cilën e mora në përputhje të plotë me procedurën. Me këtë akt, ky horr shpall luftë në Parlament dhe të jetë i bindur që do t’i qëndrojmë dhëmb për dhëmb dhe fije për fije kryepisit të Shqipërisë, kryehorrit të Shqipërisë, atij që kërkon sot të bëhet edhe kryeprokuror i Shqipërisë.
Kushtetuta jua thotë qartë; nuk e keni këtë të drejtë! Ju doni ta merrni me zor! E pra dijeni se gardianët e Kushtetutës, qytetarët shqiptarë, kanë çdo të drejtë të marrin në dorë fatin e tyre, nëse ky Parlament dhe kjo shumicë kukull e krimit dhe e drogës vendos të shkelë dokumentin themeltar që ndaj të drejtën nga e keqja, paqen nga lufta.
Ne nuk do të lejojmë në asnjë sekondë të kthehemi në një fasadë të këtij veprimi antikushtetues. Thirrini mendjes, tërhiquni tani nga shkelja e Kushtetutës përndryshe do të përballeni me të gjitha pasojat që përballet autokrati kriminal kur shkel urdhrin e sovranit. Kushtetuta është urdhër i popullit dhe ju keni detyrimin e padiskutueshëm t’i bindeni e ta zbatoni. Tërhiquni tani nga shkelja e Kushtetutës ose përndryshe deklaroni vdekjen përfundimtare të këtij Parlamenti.
Berisha: Djegie solemne e mandateve
Ish-Kryeministri Berisha bëri thirrje dje për djegien e mandatave të deputetëve të opozitës dhe një përgjigje të fortë ndaj narkoqeverisë. Ish-Kryeministri, në një rast unikal nuk u lejua që të flasë në Parlament nga Garda e Repubikës me urdhër të Ramës, ndonëse fjala i ishte dhënë nga Kryetari i Parlamentit. Kjo solli një përplasje të fortë mes deputetëve të PD në Parlament me Gardën dhe pjesë e kësaj përballje direkte ishte edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili arriti të marrë fjalën në podium.
Berisha e konsideroi reagimin e banditëve të Ramës si një pritë që ishte bërë ndaj tij. “Së pari, nëpërmjet jush dua të sqaroj çdo shqiptar se sot në Parlament Edi Rama organizoi një pritë cubash ndaj meje. Kërkova fjalën për procedurë, kryetari i Parlamentit më kërkoi që të flisja pas parafolësit dhe kështu u veprua.
U nisa drejt platformës për të thënë tre minuta fjalët e mira për procedurë. Edi Rama urdhëroi mercenarët, shefin e rojeve të Gardës dhe bëri një pritë, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Parlamentit. Pra, pasi kryetari i jep fjalën, një cub, një fundërinë pa asnjë moralitet njerëzor e pa asnjë parim urdhëron rojet dhe dalin për të më penguar”, tha Berisha
– Kush e bëri këtë?
Vetëm Edi Rama e bëri këtë, nuk e bëri Gramoz Ruçi. Kjo ka një domethënie, se kjo opozitë me këtë Parlament e dhunuar në këtë shkallë ekstreme, nuk ka bashkëjetesë dhe i lind e drejta, me këtë që bëri sot Edi Rama dhe emërimin e tij si prokuror i përgjithshëm, të marrë çdo vendim për të përmbysur narko-regjimin e Edi Ramës.
Unë e siguroj opozitën se kurrë në pushtet nuk vjen, nëse nuk e sjellin ata gra dhe burra që kanë ardhur nga mbarë Shqipëria për të mbrojtur Parlamentin e tyre, Kushtetutën e tyre. Në Parlament, me banditë të cilët vënë prita deputetëve, mund të ketë vetëm një gjuhë, djegien solemne të mandateve dhe kjo, sepse nuk ka ndodhur kurrë që deputetit t’i organizohet pritë në Parlament.
– Eshtë vendim grupi zoti Berisha, nuk do të ktheheni më në Parlament?
Këto vendime i merr grupi, unë po flas si Sali Berisha. Unë po bëj deklaratën time, që në këtë Parlament në këto kushte opozita vetëm sa i largohet pushtetit dhe qëllimeve të saj dhe bëhet një horizont i pakapshëm kur asaj i dhunohen në këtë mënyrë të drejtat më elementare të saj.
– Zoti Berisha, do ta çoni në Kushtetuese?
Jo, unë i kam shprehur të gjitha qëndrimet e mia ndaj proçesit. De fakto sot është Edi Rama kryeprokuror, sot Noriega u zgjodh prokuror. Por unë nuk mund të mos u thoja shqiptarëve se rruga e vetme e përmbysjes së narko-shtetit është ndarja me të keqen, dhe e keqja më e madhe e Shqipërisë pas Enver Hoxhës është Edi Rama dhe narko-qeveria e tij.
– A është kjo protestë e sotmja për të mbrojtur Kushtetutën apo Adriatik Llallën?
Në mënyrë absolute dhe kategorike kjo ska asnjë lidhje me Adriatik Llallën, ka lidhje me mbrojtjen e Kushtetutës, kushtetueshmërisë, ka lidhje me Vettingun që iu premtua shqiptarëve dy vite rresht dhe tani i bënë menderen mbi… Ka lidhje me mbrojtjen e atyre neneve të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se si zgjidhet prokurori i përgjithshëm, ka lidhje me protestën ndaj një mafieje të rrezikshme që ka mbërthyer vendin.
Imagjinoni vetëm një moment: Një shoqëri civile, e tëra sorosiane, e tëra e megaspekulantit të botës George Soros, për gjashtë muaj nuk solli një njeri dhe e la pa krijuar KLP dhe sot u dorëzuan kandidaturat, pasi kryen misionin e tyre të ndyrë mafioz. Të gjitha këtyre opozita nuk mund t’u japë përgjigje po nuk u nda me të keqen me forcën më të madhe dhe të përqafojë ata qytetarë, të cilët çështë e vërteta janë të gatshëm të fshijnë nga karta e kufira, fundërrina, mafie dhe çdo gjë tjetër e të pastrojnë këtë vend.
– Zoti Berisha, kur flisni për djegie mandatesh keni parasysh bojkotin e Parlamentit?
Jo bojkot, asgjësim mandatesh, do të thotë që asnjë deputet nuk është më deputet.
-Zoti Berisha, jemi para hapjes së negociatave, a nuk do ishte më mirë që këtë ta zgjidhim përmes ligjit, duke e dorëzuar në kushtetuese dhe jo përmes djegies së mandateve?
Edi Rama a mos e bllokoi para se të shkonte të mashtronte në Bruksel dhe sapo shkoi mashtroi në Bruksel u kthye dhe e vuri? Edi Rama nuk do negociata, Edi Rama do pushtetin e tij të drogës.
Dhe në kushtet kur Parlamenti nuk respekton as një rregull, as rregullin më elementar, të drejtën e procedurës, kur kryetari ia jep deputetit, dhe mbi kryetarin i nxjerr pritën në foltore, atëherë ai nuk është më Parlament, por është vetëm turp me të cilin duhet ndarë një orë e më parë, dhe garantoj se vetëm ndarja me të keqen është rruga e përmbysjes së narko-shtetit.